Krasniqi: Shpejt e harruan sakrificën e heroit Afrim Bunjaku, pushteti e do policinë vetëm për mburrje

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se pushteti e do policinë vetëm për mburrje, pas refuzimit të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje për të marrë pjesë në seancën ku do të votohej Rezoluta për Policinë e Kosovës.

Krasniqi, përmes një postimi në Facebook, ka theksuar se sot, për herë të dytë brenda një jave, Lëvizja Vetëvendosje kundërshtoi Rezolutën e propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës, e cila, me miratimin e saj, do të ndihmonte shpejt dhe konkretisht Policinë e Kosovës.

“Është e mjerueshme dhe për keqardhje kjo qasje e pushtetit ndaj policëve tanë. Shpejt e harruan sakrificën e Heroit Afrim Bunjaku dhe kolegëve të tij, të cilët, çdo ditë e vënë jetën e tyre në rrezik për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe sovranitetin e shtetit tonë”, ka shkruar kreu i PDK-së.

Krasniqi tha se PDK-ja nuk do të ndalet dhe do të insistojë përmes të gjitha mënyrave dhe mekanizmave që kjo Rezolutë të miratohet.

“Shtesat për rrezikshmërinë, sigurimi shëndetësor dhe miratimi i Ligjit për pensionim të parakohshëm – janë më të paktat që meritojnë policët tanë”, është shprehur Krasniqi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *