Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka folur në seancën e sotme të Kuvendit ku ka thënë se mirëpresin marrëveshjen për targat të arritur në Bruksel.
Krasniqi pati edhe kritika për kryeministrin Albin Kurti, duke i treguar se ka qenë e panevojshme drama që ka shkaktuar gjatë këtyre javëve.
“Vërtetë është vështirë për 4-5 minuta me vendos çka me thanë për 4-5 javë të fundit të dramës që i keni shkaktuar pa pikë nevoje z.Kryeministër. Ne e mirëpresim dakordimin që ka ndodhur dje në Bruksel, marrëveshjen që shmang përshkallëzimin edhe eskalimin potencial të situatës në veri”, ka thënë Kasniqi.
Ai ka shtuar se u bë shumë zhurmë, amo jo për asgjë.
“Nuk është që s’ndodhi asgjë sepse një çështje që ishte kompetencë e ekskluzive e Qeverisë e kryeministrit arritët ta shndërroni në temë të diskutimit e të negocimit duke e bërë palë Serbinë e Vuçiqin, për një gjë që ishte kompetencë vendimmarrëse e Qeverisë. Ke mundur ta bësh vetë këtë që e bëre dje në Bruksel, duke u dakorduar me SHBA-të dhe duke e marrë për bazë këshillën që e kishe më shumë se 4-5 javë në tavolinë, telefonata e në takime nga ndërmjetësi emisari Escobar por edhe nga sekretari Blinken”, ka thënë Krasniqi.