Ministri i MAPL-së, Elbert Krasniqi, ka thënë se ekipi menaxhues për hartimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, nuk ka qenë dhe nuk është fare transparent.
Ai në Five, ka treguar që për dy vjet sa është në krye të MAPL-së, nuk e ka pranuar asnjë raport nga ky ekip.
“Puna e këtij grupi është jotransaprente. Ai është i obliguar që aktiveitetin e tij ta raportojë te ministri, unë nuk kam pranuar asnjë informacion mbi aktivietin e këtij trupi, për këtë i kam ftuar në takim që të vijnë dhe të tregojnë për aktivitetin. Këta nuk iu kanë përgjigj ftesës për takim, vazhdojnë me një aktivitet jotransparent”, ka thënë ai.
Krasniqi ka bërë të ditur se u ka dërguar ftesë për takim, por ata nuk janë përgjigjur pozitivisht edhe pse sipas tij e kanë obligim një gjë të tillë.
Ministri Krasniqi, i ka publikuar tri vendime të qeverive të kaluara për “Ekipin menaxhues për hartimin e Statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.
Ai ka thënë se këto vendime i ka bërë publike pasi si ministri kanë marrë shumë pyetje dhe kërkesa për qasje në dokumente publike lidhur me këto vendime.
Ai ka thënë se nga përbërja fillestare vetëm dy anëtarë kanë mbetur të pandryshuar, Igor Kalamar dhe Dejan Radojkoviq.