Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi dhe nënkryetari i kësaj partie, Uran Ismaili, kanë vizituar në Hagë ish-presidentin e vendit, Hashim Thaçin dhe ish-kryetarin e kuvendit, Kadri Veselin.
Krasniqi tha se i gjetën të gjithë ish-krerët e UÇK bashkë ballëlartë dhe me Kosovën në mendje e zemër që sipas tij, vazhdon t’i frymëzojë, t’i mbajë të fortë e krenarë secilin.
Postimi i plotë:
Bashkë me Uranin, vizituam përsëri në Hagë, Presidentin Hashim Thaçi e Kryetarin Kadri Veseli. Dyert e hekurta, korridoret e gjata e muret e larta, çdo ditë e më shumë po e humbasin betejën kundrejt zemrave, besimit dhe kurajos së çlirimtarëve tanë.
I gjetëm të gjithë bashkë ballëlartë – si gjithmonë – dhe me Kosovën në mendje e zemër, që vazhdon t’i frymëzojë, t’i mbajë të fortë e krenarë secilin.
Gjithmonë me ta dhe pranë tyre, deri në ditën e shumëpritur të triumfit të drejtësisë! Sepse, dielli do të lind përsëri!