Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu (KOSTT) shpreh shqetësimin e thellë rreth ndërtimeve në afërsi të stabilimenteve të tensionit të lartë të cilat po ndodhin kohëve të fundit dhe të cilat mund të rrezikojnë seriozisht jetën e njeriut si dhe cenojnë integritetin dhe stabilitetin e sistemit elektroenergjetik të Republikës së Kosovës.
Sipas KOSTT-it ditëve të fundit ekipet e mirëmbajtjes së linjave në KOSTT, pas rënies së linjës 110kV nr. 164/1(L123) që lidhë Nënstacionin Gjakova 1 me Nënstacionin Gjakova 2, e cila u shkaktua nga lidhja e shkurtër, dhe pas inspektimeve në teren kanë konstatuar që linja ka rënë në kontakt me një ndërtesë të paligjshme pranë trasesë së linjave energjetike të tensionit të lartë të KOSTT.
“Në lidhje me këtë rast i cili cenon zonën e sigurisë, KOSTT ka njoftuar inspektoratin komunal të Komunës së Gjakovës si dhe organet kompetente për të ndërmarr masat e duhura”, thuhet në reagim.
Sipas KOSTT-it në vitin 2015, bazuar në kërkesën e parashtruar dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi KOSTT ka lëshuar kushtet teknike për ndërtimin e këtij objektit afarist, megjithatë përkundër Kushteve teknike të lëshuara nga KOSTT sh.a, objekti nuk është ndërtuar në zonën sipas kushteve të lejuara teknike në distancë prej minimum 5 metrave.
“Respektimi i rregulloreve të KOSTT sh.a për zonën e sigurisë është shumë i rëndësishëm për garantimin e sigurisë dhe funksionimit të drejtë të sistemit transmetues të energjisë elektrike. Rregulloret e KOSTT sh.a, të cilat bazohen në normat dhe standardet ndërkombëtare, parashohin distancën e sigurisë në të cilën nuk lejohet asnjë ndërtim apo veprim në afërsi, i cili cenon këtë zonë të sigurisë, në mënyrë që të evitohet çdo rrezik eventual”, thuhet në njoftim.
Në fund të reagimit thuhet se KOSTT dënon fuqishëm veprimet e tilla të cilat fillimisht rrezikojnë jetën e njeriut dhe po ashtu cenojnë integritetin e funksionimit të sistemit transmetues të Republikës së Kosovës. /KP