Më 6 prill bëhet 1 vit që kur në tavolinën e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, është emri i Blerim Isufajt, i propozuar për Kryeprokuror të Shtetit nga Këshilli Prokuorial, por që ende nuk është dekretuar nga Osmani, por as nuk ka ndonjë afat ligjor që e para e Shtetit ta legjitimoj ose jo të propozuarin për Kryeprokuror nga KPK-ja. Pas përfundimit të mandatit të ish-kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, këtë post, që nga prilli po e ushtron Besim Kelmendi. Për dekretimin ose jo, të Isufajt, Osmani akoma nuk ka marrë një vendim.
Nga Presidenca ditë më parë deklaruan për Sinjalin se janë duke pritur “shterimin e të gjitha mundësive dhe afateve kushtetuese dhe ligjore që palët kanë për të adresuar në rrugë gjyqësore”.
“Presidentja konsideron se në dritën e vërejtjeve dhe kontestimeve serioze që i janë bërë procedurës së zhvilluar në KPK, është e nevojshme që të pritet shterimi i të gjitha mundësive dhe afateve kushtetuese dhe ligjore që palët kanë për të adresuar në rrugë gjyqësore të gjitha pretendimet për parregullsi dhe shkelje ligjore që janë ngritur lidhur me këtë procedurë, duke përfshirë edhe afatin për të proceduar lëndën në Gjykatën Kushtetuese”, thotë Kupina.
Ndërsa shton se derisa të merret vendimi për dekretimin e Isufajt, “nuk ekziston asnjë pengesë kushtetuese dhe ligjore që, derisa të vendoset çështja e emërimit, ushtruesi i detyrës të Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi ka të drejtë të ushtrojë të gjitha kompetencat dhe të kryej të gjitha veprimet e nevojshme, që bien brenda kompetencave të Kryeprokurorit të Shtetit”, ka shtuar më tutje Kupina.
Komisioni për Rishqyrtim i KPK më 1 prill 2022 kishte shqyrtuar kundërshtimet e katër kandidatëve për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, Armend Hamiti, Lulzim Sylejmani, Shqipdon Fazliu dhe Kujtim Munishi.
Pesë prokurorë kishin aplikuar për pozitën e të parit të Prokurorisë së Shtetit, për të zëvendësuar Aleksandër Lumezin, të cilit i skadoi mandati.
Kandidatët e tjerë të cilët kishin aplikuar për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit janë: Armend Hamiti, Kujtim Munishi, Lulzim Sulejmani dhe Shqipdon Fazliu.
I habitur dhe i zhgënjyer me propozimin e Këshillit Prokurorial të Shtetit për emërimin e Blerim Isufajt, si Kryeprokuror të ri të Shtetit, ishte shprehur Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.
Sipas tyre procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit kishte një varg mangësish të cilat cenonin integritetin e procesit.
Ai përmes një reagimi tha se BE-ja në vazhdimësi ka thirrur për një proces të drejtë dhe meritor, e që sipas tij KPK i ka shpërfillur këto parime.
Po ashtu, edhe ambasadori gjerman Jorn Rohde tha se ky proces është vërtetë zhgënjyes dhe jo rruga përpara e Kosovës.
“Kjo është me të vërtetë zhgënjyese dhe jo rruga përpara e Kosovës sidomos kur OJQ-të e njohura si Instituti i Kosovës për Drejtësi e GLPS kanë shprehur shqetësime të ngjashme”, shkroi në Twitter ambasadori Rohde.
Reagime pati edhe nga ambasadori amerikan, Jeffrey Hoevenier duke thënë se fakti që anëtarët e KPK-së nuk i kanë marrë parasysh ankesat legjitime dhe rekomandimet e panelit shqyrtues bie ndesh me atë standard.
“Fakti që anëtarët e KPK-së nuk i kanë marrë parasysh ankesat legjitime dhe rekomandimet e panelit shqyrtues bie ndesh me atë standard. Jemi të shqetësuar se mënyra se si KPK i ka zhvilluar këto procedura ka dëmtuar besimin e publikut kosovar dhe besimin tonë në KPK, si institucion publik”, tha ai.
Kundër këtij vendimi dolën edhe tri organizata të shoqërisë civile të cilat i kishin kërkuar presidentes të mos e dekretoj Isufajn për kryeprokuror të vendit.
Në një raport të publikuar më 24 mars 2022 nga Koalicioni i OJQ-ve, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Lëvizja FOL me titull “Integriteti i procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit (Raport i monitorimit dhe vlerësimit të procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit)”, ky koalicion ka rekomanduar të anulohet procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit dhe të shpallet konkurs i ri.