Kosova bëhet “mollë sherri” në parlamentin e Gjermanisë, debat i ashpër mes deputetëve

Parlamenti Gjerman miratoi, të premten, vazhdimin e pjesëmarrjes së Bundeswehrit (Ushtria e Gjermanisë) në KFOR.

Kërkesa e qeverisë gjermane u miratua me vota nga pozita, Partia Socialdemokrate, SPD Të Gjelbrit dhe Liberalët, FDP dhe opozita Unioni Kristiandemokrat dhe Kristiansocial-CDU/CSU.

Partitë e krahëve majtistë (Die Linke) dhe djathtistë (AFD) ishin kundër zgjatjes së mandatit.

Votimi për pjesëmarrjen e ushtarëve gjermanë në Kosovë bëhet me votim të hapur me emër.

Nga 627 deputetët që dhanë votën, 526 votuan pro, 99 kundër dhe 2 abstenuan. Parlamenti gjerman ka gjithsej 736 deputetë.

Para votimit në Bundestag u bë një debat i fortë për sigurinë dhe perspektivën evropiane të Kosovës.

Ligjvënës nga partitë më të mëdha të Gjermanisë thanë se republikës kosovare duhet t’i qartësohet udha drejt Bashkimit Evropian.

“Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës duhet të ndodhë në javët apo muajt në vijim dhe kjo do të jetë perspektiva e parë institucionale evropiane që i ofrohet Kosovës”, tha Voker Ullrich, deputet i partisë CDU.

“Dialogu Kosovë-Serbi duhet t’i ofrojë të dyja vendet drejt anëtarësimit në Bashkim Evropian. Si qëndron situata për momentin, kjo është më reale për Kosovën sesa për Serbinë”, tha Ulrich Lechte, deputet i partisë FDP, pjesë e koalicionit qeverisës.

Ndërkohë, debat të ashpër ka nxitur deputetja majtiste Zaklin Nastiq, që e quajti Kosovën “shtet i dështuar” dhe i cili përkrah renovimin e shtëpisë dhe veprën e Xhafer Devës, të cilin e quajti kolaboracionist të nazistëve.

“Pikësëpari NATO-ja ndërhyri në Kosovë për të ndalur vrasjet masive dhe së dyti Millosheviqit iu tha “ose ktheja Kosovës autonominë, ose NATO duhet ta mbrojë Kosovën”, theksoi deputeti Josip Juratoviq, kur iu kundërpërgjigj Nastiqit/KlanKosova.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *