Klinaku nuk i bie pishman për postimin ku përmendi vrasjen e Kurtit, e ripërsërit dhe kapet me mediat

Ushtruesi i Detyrës së Kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku nuk i ka rënë pishman aspak për një postim skandaloz të tij mbrëmë, ku e përmendi vrasjen e kryeministrit Albin Kurti.

Ai ka ripërsëritur deklaratën e tij duke ironizuar me mediat që raportuan për statusin e tij të publikuar në Facebook.

Fillimisht Klinaku tregoi një bisedë që e ka pasur me votuesin e Kurtit, i cili sipas tij ka thënë se “s’ka mbetur tjetër gjë pos me ikë jashtë”, ndërsa ai iu ka përgjigjur duke thënë se “më parë e vras Albin Kurtin sesa që ia lëshoj rrugën e iku nga Kosova”.

Kjo deklaratë e tij, ngjalli reagime të shumta. Pas publikimit të kësaj bisede Klinaku u kap me mediat.

Kësaj here ai ka vendosur të pyes për vlerat e Albin Kurtit në krahasim me shtetin e Kosovës.

“Nëse mediave ju duket postimi im si skandaloz, atëherë të më thonë se: A më shumë vlen Albini, apo atdheu ynë?”, ka shkruar Klinaku.

Nuk mjaftoi me kaq. Klinaku ka ripërsëritur deklaratën e tij skandaloze rreth vrasjes së Kurtit.

“Prapë po e përsëris pra, nëse ju duket skandaloz postimi i mëhershëm:”Më parë e vras Albin Kurtin sesa ia lëshoj rrugën e iku nga Kosova””

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *