Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, e ka quajtur propagandues patologjik, ministrin e Financave, Hekuran Murati.
Reagimi i saj vjen pas deklaratës së ministrit Murati, i cili ka thënë se për shkak të mos ratifikimit të marrëveshjes ndërkombëtare nga opozita, është bllokuar projekti që ka të bëjë me financimin në vlerë prej 80 milionë euro për Termokosin.
Ai i është drejtuar kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikut, që “në vend se të bëjë akuza të pabaza drejt Qeverisë, bën mirë të kërkojë nga partnerët e tij të koalicionit që të votojnë për ratifikimin e marrëveshjes që ia siguron 80 milionë euro Termokosit dhe qytetarëve të Prishtinës”.
Lidhur me këtë, deputetja e LDK-së thotë se “nuk e di saktë ku fillon e kulmon domosdoshmëria e njeriut të propagandojë tërë kohën, por ky duhet të jetë kulmi”.