Këto janë kompanitë që dështuan në shtrimin e rrugëve në Prishtinë, të cilave Rama ua shkëputi kontratat

Komuna e Prishtinës ka shkëputur tri kontrata me kompanitë që sipas saj s’i kanë respektuar kushtet për shtrimin e rrugëve – fakt ky që ka vështirësuar jetën prishtinasve.

Për ndërprerjen e këtyre tenderëve publikë ka njoftuar Përparim Rama, kryetari i Prishtinës. Sipas tij kjo ka ndodh pasi kompanitë kanë qenë të papërgjegjshme.

Gazeta Sinjali ka mësuar emrat e dy prej kompanive që Komuna e Prishtinës ua ka shkëputur kontratat.

Bëhet fjalë për ndërrmarrjet “Noti” dhe “Bashkimi”, kompani këto që janë marrë me shtrimin e rrugëve në Prishtinë.

“Kompanitë në fjalë nuk kanë dëshmuar profesionalizëm dhe seriozitet në zbatimin e planit dinamik. Rrjedhimisht, kanë pasur ngecje të mëdha në realizim të punimeve duke mbajtur projektet e papërfunduara dhe duke vështirësuar jetën e qytetarëve në lokacionet përkatëse”, ka shkruar Rama në Facebook.

Ai tha se këtyre kompanive do t’ua konfiskojnë vlerën e 10 për qind të projektit.

“Nuk do të tolererojmë papërgjegjësi dhe joseriozitet në projektet e Kryeqytetit. Kompanive që tilla do t’u konfiskojmë sigurimin e ekzekutimit të punimeve që arrin vlerën 10% të shumës së projektit”, tha Rama.

I pari i Prishtinës deklaroi se komuna do të vazhdojë të sigurojë cilësi e standard të ri të ndërtimit në transformimin e Kryeqytetit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *