Espresso dhe makiato janë pothuajse pija që konsumohet më së shumti tek ne, dhe inflacioni i kohëve të fundit ka prekur edhe ato. Pavarësisht kësaj, çmimi i espressos në Prishtinë dhe Tiranë, del të jetë më i liri në Europë.
Në rrjetet sociale është publikuar një listë me çmimet e espressove në pothuajse të gjitha kryeqendrat europiane. Aty figurojnë edhe tri kryeqytetet me numrin më të madh të shqiptarëve. Që të tri këto kryeqytete, Tirana, Prishtina e Shkupi, ofrojnë çmimin më të lirë në Europë për një espresso.
Në listën me çmimet e espressove në 42 qytetet më të mëdha europiane, Prishtina ndodhet në vendin 40’të, ku një çmimi mesatar i një espresso llogaritet të jetë 90 cent, Shkupi në vendin e 41’të, ku çmimi i espressos është 89 cent, ndërsa Tirana mbanë rekordin për çmim më të volitshëm të pijes më të preferuar, me vetëm 70 cent.
Duhet pasur parasysh, se këto çmime nxjerrin mesataren e çmimeve për shumicën e vendeve ku ofrohet espresso. Sigurisht se në zonën më elitare të kafiterive të Prishtinës, Tiranës apo Shkupit, një espresso mund të shërbehet edhe me çmim prej 1 euro e 20 cent.
Ndërsa, në krye të kësaj liste, për çmimet më të larta të espressos, janë kryeqytetet e Danimarkës dhe Zvicrës, Kopenhagë dhe Bern, ku një kafe shërbehet me 4 euro.