Këta janë katër dillerët e arrestuar në Gjilan, u kapën me heroinë e kokainë në vlerë të mbi 91 mijë €

Njësia e Antidrogës në Gjilan në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjilan kanë zhvilluar aksion në mëngjesin e sotëm, me ç’rast janë sekuestruar mbi 1.5 kg heroinë dhe një sasi e kokainës, si dhe janë arrestuar katër persona të dyshuar.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije për Sinjalin se dillerët që u kapën gjatë këtij aksioni janë Valdrin Syla, Lundrim Mehmeti, Ajadin Agaj dhe Leotrim Nuredini, të cilët dyshohen se janë përfshirë në shitblerje të substancave narkotike.

Sipas informacioneve të para, katër të dyshuarit, në bashkëpunim dhe me qëllim të përfitimit material, kanë organizuar shitblerjen e substancave narkotike të llojit kokainë dhe heroinë.

Gjatë operacionit që u krye në katër lokacione janë sekuestruar edhe prova të tjera, si armë e para të gatshme.

Vlera e heroinës së sekuestruar, sipas Policisë, arrin në 34 mijë e 400 euro, ndërsa kokaina që u gjet ka vlerën e 57 mijë eurove.

“Gjatë zbatimit të urdhër kontrollit në 4 lokacione të ndryshme, janë sekuestruar: 1,549.2 gr heroinë, 54.7 gr kokainë, 2.010 euro para të gatshme, 1 armë e shkurtë Zoroki dhe 1 karikator me 15 fishekë, 1 telefon mobil Samsung, 3 peshore elektronike dhe 1 automjet BMW”, thuhet në njoftim.

Të dyshuarit, me urdhër të prokurorit gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh, për shkak të dyshimit se kanë kryer veprat penale ‘’Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’’ dhe ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’.

Prokurori i rastit, brenda afatit ligjor do të kërkojë edhe masën për sigurimin e të dyshuarve në procedurë penale.Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *