Dy persona të dyshuar për rrahjen me thika që ndodhi para më shumë se një muaji, afër një lokali në Podujevë, janë arrestuar.
Nga ky rast mbeti i therur në qafë një 18-vjeçar. Dy të dyshuarit u kapën në flagrancë në stacionin e autobusëve në Prishtinë, raporton Sinjali.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Endrit Zeqirin dhe Erion Ajvazin, të dy 19-vjeçarë, të cilët po dyshohet për përleshjen që ndodhi te një lokal ‘Fast Food’ në Podujevë.
Në këtë përleshje që eskaloi pas një konflikti verbal kanë qenë të përshirë gjithsej 4 persona, në mesin e të cilëve edhe i riu që u ther me thikë. Ngjarja dyshohet se kishte ndodhur pas një mosmarrëveshje e cila daton që pothuajse një vit, për shkak të xhelozisë që kanë pasur palët mes vete.
18-vjeçari që u ther me thikë, atë natë kishte marrë ndihmë mjekësore në Emergjencën e Qendrës së Mjekësisë Familjare në Podujevë, e më pas është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratë lidhur me rastin.
Burimet thonë se veprimet hetimore nga Policia dhe Prokuroria janë marrë edhe në bazë të dëshmive të siguruara, gjegjësisht pamjeve nga kamerat e sigurisë të lokalit në afërsi të të cilit ndodhi rasti.
Të dyshuarit e ndaluar do të hetohen për veprën penale “lëndim i rëndë trupor”.