Këshilli i Evropës sot diskuton për tensionet në veri të Kosovës

Në seancën e rregullt të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës sot pritet të diskutohet për situatën në Kosovë.

Sesioni duhet të diskutojë gjithashtu situatën në Izrael dhe Nagorno-Karabakh.

Seanca e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës do të mbahet pas orës 16:00.

Më 24 shtator, një grup terroristësh sulmoi një njësi patrulluese të policisë së Kosovës në një rrugë në fshatin Banjskë, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Më pas, grupi i terroristëve u strehua në manastirin në Banjskë, prej ku vazhdoi përleshjet me zyrtarët policorë.

Gjatë përleshjeve, sipas autoriteteve kosovare, janë vrarë tre sulmues.

Kosova ka fajësuar për këtë sulm terrorist – Serbinë, por Beogradi ka mohuar se ka gisht në të.

Në BE disa shtete kanë kërkuar që Serbia të ndëshkohet nëse vërtetohet se ka qenë e përfshirë në sulm. Blloku evropian ka deklaruar se po pret përfundimin e hetimeve dhe më pas do të vendosë se çfarë hapash do të ndërmarrë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *