Jo rrallëherë ndodhin përleshje mes punëtorëve në biznese të ndryshme në Kosovë. Ato shpesh eskalojnë në kërcënime e sulme, për çka intervenon Policia. Një rast i tillë ka ndodhur për dy ditë radhazi në fabrikën e djathit në Rugovë të Pejës, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit nga Prokuroria kanë bërë me dije se disa punëtorë janë rrahur mes vete fillimisht gjatë ditës së djeshme, pas një mosmarrëveshje, por që përleshja vazhdoi edhe sot. Dikush nga fabrika u detyrua ta njoftojë Policinë, me ç’rast dy persona u arrestuan.
Punëtorët e dyshuar kanë fizikisht njëri-tjetrin, teksa sot njëri prej tyre dyshohet se ka tentuar ta godas tjetrin me një thikë, por që nuk arriti pas intervenimit të punëtorëve të tjerë.
Posa Policia u vu në dijeni për rastin, të dyshuarit u shoqëruan në stacion policor ku kanë dhënë deklaratat e tyre mbi motivin e rrahjes.
Sinjali mëson se me urdhër të Prokurorit të Shtetit dy punëtorë të kësaj fabrike kanë përfunduar në ndalim policor, nën dyshimet për veprat penale “sulm dhe lëndim i lehtë trupor”.