Këndonte kur ekipi shpëtimit e nxorri nga rrënojat, vajza simbol në Siri rrezikon të humbasë këmbët.
Kur grupi i ‘Helmetave të Bardha’ mbërriti pranë saj, e gjeti 9 vjeçaren duke u munduar të këndonte nën rrënojat e tërmetit. Teksa ekipi i shpëtimit po punonte, vajza e quajtur Sham vijoi të këndonte me punonjësit, derisa ajo u nxorr nga gërmadhat e tërmetit.
Disa prej këtyre momenteve u kapën në kamera, ndërsa 9 vjeçarja Sham u bë një simbol shprese për shumë sirianë, të cilët po ashtu u prekën rëndë nga tërmeti i 6 shkurtit në Turqi.
“Ajo vajzë na dha forcën për të punuar… gëzimi që ndjemë ishte i papërshkrueshëm kur mbërritëm tek Sham”-tregoi një prej punonjësve të ekipit të shpëtimit.
Por duket se tashmë, vogëlushja po vuan nga probleme të shëndetit. Mjekët që kujdesen për Shamin e vogël thonë se vajza rrezikon të humbasë këmbët, për shkak të dëmit që gjymtyrët e saj pësuan nën rrënoja. Vajza po vuan nga një gjendje shëndetësore e njohur si ‘rhabdomyolysis’, kur fibrat e muskulit vdesin dhe lëndët e tyre lëshohen në rrjedhën e gjakut, duke shkaktuar probleme në veshka.
“Sham është një ndër disa pacientet që është prekur nga kjo sindromë”-shpjegoi doktori që po kujdeset për 9 vjeçaren.
9 vjeçarja humbi shumë në tërmetin e fillim shkurtit. Nëna dhe motra e saj ndërruan jetë, ndërsa babai e dy vëllezërit mundën të shpëtojnë fatmirësisht.
Deri më tani ideja e amputimit të këmbëve është shtyrë, por gjendja e vogëlushes është ende delikate shpjegoi Dr. Mustafa, mjeku që merret me vajzën.
Kur ekipet e shpëtimit mësuan për këtë, postuan në rrjetet sociale me një lutje për ndjekësit e tyre… që të bëjnë një lutje për shëndetin e 9 vjeçares