Të hënën në mbrëmje një person i komunitetit serb është plagosur me armë zjarri në veri të Mitrovicës, ndërsa rasti ngjalli reagime të shumta. Katër pjesëtarë të Policisë së Kosovës, janë arrestuar për këtë rast.
Fillimisht Policia e Kosovës mohoi se në këtë plagosje janë përfshirë efektivë të saj.
Por, më pas u bë e ditur se pas hetimeve të pandërprera ka arritur të sigurojë dëshmi se një zyrtar policor se është përfshirë në gjuajtje me armë zjarri në incidentin që ndodhi në orët e vona të së hënës në veri të Kosovës.
“Policia e Kosovës, lidhur me rastin ndodhur në orët e vona të datës 10.04.2023 në veri të vendit, ku nga arma e zjarrit ishte plagosur një person, ka vazhduar hetimet intensive me njësitet relevante policore nga niveli rajonal dhe ai qendror, me qëllim të hetimit dhe ndriçimit sa më parë të këtij rasti”, thuhet në njoftim.
“Si rezultat i hetimeve të pandërprera dhe i angazhimeve të njësiteve policore në vendin e ngjarjes, si dhe si rezultat i ekzaminimit të dëshmive të siguruara, është arritur të sigurohen dëshmi të cilat tregojnë dyshimet për përfshirje të mundshme të një zyrtari policor në gjuajtje me armë zjarri”, thuhej në njoftim.
Siç njoftoi Policia e Kosovës, zyrtari në fjalë, që u përfshi në këtë plagosje, nuk kishte raportuar fare për gjuajtjet që kishte pasur dhe për një gjë të tillë është suspenduar.
Përveç tij, Policia ka njoftuar se janë marrë masa të suspendimit edhe ndaj tre zyrtarëve tjerë të Policisë për përfshirjen e mundshme në rast.
“Bazuar në informacionet dhe dëshmitë e siguruara bëhet e ditur se janë marrë masa të suspendimit ndaj zyrtarit policor, pasi i njëjti nuk kishte raportuar lidhur me rastin dhe për përfshirjen e tij në rast, “nga ku PK-ja kishte lëshuar njoftim se nuk ka qenë e përfshirë në shkëmbim apo gjuajtje me armë zjarri”.
Lidhur me këtë rast reagoi edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Ai thënë se sipas hetimeve të para, pas sinjalit të zyrtarit policor për ndalim, vozitësi nuk është ndalur por ka vazhduar në drejtim të Zveçanit.
Pas kësaj, një zyrtar policor ka shtënë me armë në drejtim të veturës ku si pasojë, ka mbetur i plagosur qytetari M.J.
“Pas intervistimit nga ana e Inspektoratit Policor dhe me vendim të prokurorit, 4 zyrtarë policor janë arrestuar dhe janë dërguar në mbajtje për 48 orë me dyshimin se tre zyrtarë policorë nuk kishin raportuar lidhur me rastin dhe një zyrtar për mos raportim si dhe për përfshirjen e tij në rast. Të njëjtit gjatë ditës me rekomandim të IPK-së janë suspenduar nga PK”, ka thënë ministri.
Në fund theksoi se me qëllim të zbardhjes së të gjitha rrethanave, hetimet do të vazhdojnë intensivisht dhe gjithsecili që ka bërë shkelje do të ballafaqohet me ligjin.
E arrestimin e katër zyrtarëve policorë e ka konfirmuar edhe Inspektorati Policor i Kosovës.
Njëri nga zyrtarët policor dyshohet se ka kryer veprën penale “vrasje në tentativë”, ndërsa të katërtit po ashtu dyshohen se kanë kryer veprën penale “moslajmërim i veprës penale”.
“Pas ndërmarrjes së disa veprimeve hetimore në koordinim me prokurorinë hetuesit e IPK-së kanë arrestuar sot në orët e mbrëmjes katër zyrtarë policorë me dyshimin se kanë kryer veprën penale “mos lajmërim i veprës penale” dhe njëri nga ta është i dyshuar për veprën penale “vrasje – në tentativë” (lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës)”, thuhet në njoftimin e Inspektoratit.
Me vendim të prokurorit të njëjtëve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Ngjarja në veri të Kosovës, ngjall reagimin e ambasadorit të ShBA-së në Kosovë dhe atij të BE-së.
Ambasadori i ShBA-ve në Kosovë, Jeff Hovenier, ka shprehur shqetësimin e Shteteve të Bashkuara për këtë incident dhe ka bërë thirrje për një hetim të plotë dhe të besueshëm të ngjarjes.
ShBA-të janë të shqetësuara për një incident në të cilin një serb i Kosovës u qëllua mbrëmë në Zveçan/Zveqan. Zyrtarët dhe institucionet e Policisë së Kosovës duhet të kryejnë një hetim të plotë dhe të besueshëm. Ne jemi thellësisht të shqetësuar nga mohimi fillestar i bërë pa kujdesin e duhur”, shkroi Hovenier.
Në reagimin e tij, ai gjithashtu ka theksuar se të gjithë qytetarët duhet të kenë besim në transparencën e zbatimit të ligjit dhe sektorit të drejtësisë.
“Të gjithë qytetarët duhet të kenë besim në transparencën e zbatimit të ligjit dhe sektorit të drejtësisë. Mbështetja e SHBA-së për institucionet e Kosovës për sundimin e ligjit avancon një vizion të përbashkët të një shteti demokratik dhe multietnik. Ata që janë përgjegjës për veprime kriminale duhet të mbajnë përgjegjësi”, vijoi ambasadori amerikan.
Ndërkaq nga zyra e BE-së kanë thënë se të gjitha institucionet përkatëse të sundimit të ligjit duhet të kryejnë një hetim të shpejt dhe të plotë.
“BE në Kosovë dënon incidentin e sigurisë, ku një serb i Kosovës është qëlluar dhe plagosur mbrëmë afër pikëkaklimit kufitar të Policisë së Kosovës në urën e Bistricës në komunën e Zveçanit. Të gjitha institucionet përkatëse të sundimit të ligjit tani duhet të kryejnë një hetim të shpejtë dhe të plotë dhe të nxjerrin përgjegjësit para drejtësisë.” – thuhet në reagim.
Reagim për incidentin ka bërë edhe shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ku ka thënë se Policia e Kosovës gënjeu gjithë ditën lidhur me këtë ndodhi.
”Policia e Kosovës sapo pranoi se kishte qëlluar serbin Milan Jovanoviq dhe tregoi se gënjeu tërë ditën për serbin e qëlluar me armë, familjar, baba i tre fëmijëve që për fat të mirë mbijetoi’’- tha Petkoviq në rrjetin social ‘’Facebook’’.
Petkoviq u shpreh se Policia e Kosovës gënjeu deri në momentin kur ministrit Sveçla iu kërkuan provat. Dhe sipas tij kjo ka ndodhur për të vetmen arsye, se i qëlluari është një serb.