Gara për zgjedhjet parlamentare greke u shfaq në tërësi pa befasi të mëdha, ku kryeministri Kyriakos Mitsotakis dhe partia e tij Demokracia e Re arritën të merrnin një fitore bindëse me mbi 40% të votave, edhe pse nuk e morën dot shumicën në Parlament.
Kjo gjë do të bëjë që vendi të shkojë në rivotime në fund të qershorit.
Megjithatë, në vëmendje ishin edhe shtatë kandidatë shqiptarë, të cilët aspironin të kishin një ulëse në Kuvendin grek, por nuk e arritën dot këtë gjë.
Madje, në zgjedhjet e 21 majit, nga 87 mijë vota emigrantësh, të cilët kishin të drejtën e zgjedhjes, ata arritën të merrnin vetë 10 mijë, me 98% të votave të numëruara.
Një paraqitje të mirë e ka bërë Antilian Koxhaj, i cili garoi për forcën e të majtës ekstreme SYRIZA dhe arriti të marrë 3 mijë e 151 vota.
Viola Makrina Kosti, po nga SYRIZA, u paraqit me një performancë prej 2 mijë e 802 votash.
Më tej, u radhit në rangun e shqiptarëve Pati Vardhami, me grupimin Mera 25, duke mbledhur 1 mijë e 272 vota.
Angjelos Dhionisis Jahollari i SYRIZA mori 1 mijë e 14 vota, Niko Bilika i Pasok 824, Fatos Malaj i Pasok 752 dhe në fund, Sidorela Kalthi e Partisë Komuniste, 153 vota.