Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi është takuar me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi me të cilin ka diskutuar për pozitën e vështirë dhe diskriminuese që shqiptarët kanë në Luginën e Preshevës.
Kamberi, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka thënë se e ka njoftuar Bislimin për katër propozimet ligjore që të krijojnë mekanizma ligjore.
“Përveç situatës politike në Luginën e Preshevës e njoftova z. Bislimin për 4 propozime ligjore që synojnë të krijojnë mekanizma ligjorë për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të pakicave”.
“Megjithatë, Parlamenti i Serbisë refuzon t’i trajtojë ato, duke i lënë ato jashtë rendit të ditës”, ka shkruar ai.
Ndërsa, ka sqaruar se edhe çka përfshijnë këto propozime.
“Propozimet përfshijnë ndryshimin e Ligjit për përdorimin e lirë të simboleve kombëtare nga pakicat, Ligjin për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të pakicave, Ligjin mbi organizimin territorial të gjykatave, dhe ndryshimin e Rregullores së punës së parlamentit”.
“Edhe pse procedurat parlamentare janë kaluar, këto çështje po përmbyten në debat”.
Po ashtu, ka thënë se ka falënderuar Bislimin për angazhimet e Qeverisë së Kosovës për hapat e ndërmarrë për të adresuar çështjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, duke ofruar mbështetje financiare dhe duke theksuar rëndësinë e mospranimit të trajtimeve të dyfishta të pakicave në rajon.
“Biseduam për domosdoshmërine e zgjidhjes së çështjes së liçencimit të mjekëve nga Lugina e Preshevës që punojnë në Kosovë. U informova se kjo çështje do të zgjidhet shumë shpejt”.
Më 7 shkurt, deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, kishte dorëzuar në këtë institucion propozimin për ndryshimin e Ligjit për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të pakicave.
Kamberi ka shtuar se me propozimin për ndryshimin e këtij ligji e kanë përkrahur edhe deputet, Enis Imamovic dhe Selma Kucevic nga SDA e Sanxhakut dhe deputeti i pavarur Aleksandar Olenik.