Deputeti i Partisë Socialiste Rahman Rraja ka dhënë dorëheqjen nga mandati i deputetit, pas ngjarjes në Borizanë, ku familjarë të deputetit dyshohet se kanë rrahur brutalisht dhe kanë kërcënuar me armë zjarri dy persona.Rraja ka njoftuar tërheqjen nga jeta politike dhe u ka kërkuar falje qytetarëve që e kanë votuar.
Ai i ka bërë thirrje djalit të tij të dorëzohet në Polici.“Fatkeqësisht unë dështova si prind dhe ndihem i turpëruar publikisht nga fëmija im. Ju kërkoj ndjesë shokëve dhe kolegëve te grupit parlamentar dhe deklaroj dorëzimin e mandatit të deputetit dhe tërheqjen time nga jeta politike. Ju kërkoj ndjesë atyre që më kanë dhënë votën prej vitit 2000 si kryetar komune dhe prej 2 mandatesh si deputet”- ka shkruar ai, raporton Top Channel.
Më 6 korrik në një lokal në aksin rrugor Fushë Krujë – Thumanë, familjarët e deputetit socialist, dyshohet se kanë goditur me sende të forta dhe kërcënuar me armë shtetasit Bilbil Maja dhe Jashar Maja.Lidhur me këtë rast, deri më tani, tetë persona janë arrestuar nga Policia e Shtetit ndërsa gjashtë persona tjerë janë në kërkim.Në orët e para të mëngjesit të sotëm, Policia ka organizuar operacionin për kontrollin e ambienteve dhe vendeve ku mund të mund të fshiheshin personat e shpallur në kërkim.Sipas Policisë, gjatë operacionit u kontrolluan 20 banesa, biznese dhe ambiente të ndryshme në pronësi të shtetasve të shpallur në kërkim Xhelal Rraja, Flamur Rraja, Klajdi Rraja, dhe Rexhep Rraja, dhe të personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.