Emisari special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka takuar ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, i cili është edhe kryesues i OSBE-së.
Lajçak, përmes një postimi në Twitter, ka bërë të ditur se me Osmanin kanë folur për përpjekjet e BE-së dhe OSBE-së për situatën në veri të Kosovës.
“Kënaqësi për të diskutuar përpjekjet e BE-së dhe OSBE-së për të shtensionuar situatën në veri të Kosovës me Bujar Osmanin sot në Vjenë”, tha Lajçak.
Emisari i BE-së në dialogu, Lajçak tha se me Osmanin kanë folur edhe për përvojën e shefit të diplomacisë së Maqedonisë së Veriut si kryesues i OSBE-së për vitin 2023, por edhe për sfidat me të cilat përballet kjo organizatë.
Takimi i Lajçakut me Osmanin vjen pas vizitave dhe takimeve të tij në fillim të kësaj jave me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në Prishtinë dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq në Beograd.