Organizata jo qeveritare “Vullneti Rinor” ka përfituar nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës një pjesë të fondit prej 500 mijë euro, para që do të duhej të shkonin për organizata jo qeveritare dhe mediat e komuniteteve jo shumicë në Kosovë.
Mentor Barani, themelues i kësaj OJQ-je, përveç se nuk e di pse aplikoi në një thirrje që s’i dedikohej OJQ-së së profilit të tij, ai nuk e di as si ndodhi që fitoi e për më tepër, nuk e di as cili ishte projekti që ia siguroi 5 mijë euro të Qeverisë.
“Jo vallahi nuk e di”, thotë i pyetur nga Albanian Post se me çfarë projekti e fituan fondin.
“Ne kemi konkurruar dhe i kemi disa boshnjakë që bashkëpunojmë. Mundem me ta dhënë numrin e atij që e ka bërë projektin. Ta jep numrin e fol më të”, ka shtuar Barani.
Kur pyetet për aktivitetin e organizatës, ai shton se “unë veç kam aplikuar dhe e kam fituar”.
Barani e konfirmoi se është drejtues i vetëm i organizatës jo qeveritare “Vullneti Rinor”, ndonëse te themeluesit figurojnë edhe emrat e Luan Jusufit dhe Genita Hajdarit, ky i pari ish-këshilltar i ministres së Punëve të Jashtme Donika Gërvalla.
“Tash jam veç unë, sepse Luani nuk është më qe pesë ose gjashtë vjet, as Genita nuk është më”, ka shpjeguar ai.
Ndërkaq i kontaktuar nga Albanian Post menaxheri i projektit, Fatmir Hoxha, ka treguar se plani ka të bëjë me një aktivitet që zhvillohet për komunitetet, më së shumti e prek atë boshnjak.
“Aktiviteti zhvillohet në tri faza, është një kamp me të rinj; pastaj faza e dytë është krijimi i grupeve joformale me të rinj, të cilët pastaj do t’i dizajnojnë projekt propozimet për zhvillimin e aktiviteteve për vitin e ardhshëm; dhe pjesa e tretë ka të bëjë me përgatitjen e një ekspozite me fotografi lidhur me bukuritë natyrore të Kosovës, dhe një video lidhur me aktivitetet që do t’i zhvillojmë me komunitet”, ka pohuar Hoxha.
“Nëse nuk gaboj në fazën e tretë edhe për fotografi edhe për ekspozitë edhe për video, s’e di a janë më tepër se 700 euro”.
“Kampi do të mbahet në Prishtinë, diku në Fushë Kosovë një ditë dhe në Prishtinë, faktikisht duke i përfshirë objektet kulturore që ne i kemi, si Ulpiana e Gërmia …”.
Përkundër se tanimë edhe zyrtarisht, kjo organizatë është fituese e projektit, menaxheri Hoxha tregon se ende nuk është bërë agjenda.
“Jemi duke e hartuar. Deri në 100 të rinj do të marrin pjesë”.
Përveç se nuk ka ende agjendë, ai po ashtu pohon se edhe përzgjedhja e të rinjve nuk është bërë ende.
“Të rinjtë do të jenë prej 18 deri në 35 vjeçar. Përveç boshnjakëve mund të merr pjesë edhe dikush tjetër nga komunitetet tjera. Ne kemi aplikuar me ide tona, kemi llogaritur që janë ide atraktive”, vuri në pah ai.
Në anën tjetër, Luan Jusufi, ish-këshilltar i ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, thotë se nuk është pjesë e organizatës jo qeveritare “Vullneti Rinor” që disa vjet edhe pse e pohon që e ka themeluar këtë organizatë.
“Jo nuk jam aty, nuk jam në një periudhë që 15 vite nuk jam në ‘Vullnet Rinor’. Unë e kam themeluar në vitin 2001 dhe jam tërheq në vitin 2008-2009. As nuk kam qasje në xhirollogari, po kam qenë bashkëthemelues në vitin 2001 dhe 2002, por ka kohë që jam tërhequr prej asaj organizate joqeveritare”, potencon Jusufi për AP.
Jusufi, tutje sqaron se kjo organizatë nuk ka përfituar asnjë projekt nga MPJ ku kishte punuar si këshilltar deri në muajin shkurt të këtij viti.
“Nuk ka përfituar diçka kjo OJQ në ministri të Punëve të Jashtme. Nuk jam më këshilltar i Donika Gërvallës prej muajit shkurt. Nuk jam as anëtar i Listës Guxo. Unë asnjëherë nuk kam përfituar prej kësaj OJQ-je. Unë nuk e di pse kanë mbetur emrat aty, pasi me rregull është dashur që të mos jetë emri im aty”.