Iu shkëput kontrata për zvarritje të punimeve, Komuna e Prishtinës pas një muaji e shpërbleu më kontratë kompaninë e njëjtë

Shumë zyrtarë komunalë u ekzaltuan nga postimi që bëri nënkryetari Alban Zogaj para pak ditëve. Ata e shpërndan një postim të tij, i cili njoftonte se Komuna e Prishtinës ua ka shkëputur kontratën tri kompanive, të cilat kishin zvarritur punimet dhe nuk kishin punuar sipas stendave të ndërtimit. Por, komuna e ka rekomanduar për kontratë sot pikërisht njërën prej këtyre kompanive të papërgjegjshme.

“Kemi filluar me mekanizmin e shkëputjes së kontratave me kompanitë e papërgjegjshme! Nuk mund të tolerojmë projekte me vonesa, e projekte me cilësi të ulët!”, shkroi më 12 shtator në rrjetin social, nënkryetari Zogaj, duke mos përmendur emrat e kompanive.

Demokracia.com ka mësuar se në mesin e kompanive që i ishte shkëputur kontrata ka qenë edhe “BASHKIMI METI” SH.P.K.

Gjatë ditës së sotme, prokurimi komunal ka shpallur fituesit e projektit “Ndërtimi i strehimores-parkut të qenve”.

Grupi i Operatorëve Ekonomikë që është rekomanduar për kontratë ka qenë “AGRO INVEST 1” SH.P.K.; “BASHKIMI METI” SH.P.K, me çmim prej 187,115.00 euro.

Pra, siç shihet, pjesë e kompanisë në konzorcium është edhe kompania e ndëshkuar.

Komuna e Prishtinës para pak javëve ka marrë vendim për shkëputjen e kontratave për tri kompani të papërgjegjshme. Ato dyshohet se nuk i kanë kryer punimet në rrugët që i kanë fituar me tender, sipas dinamikës. Komuna e Prishtinës pritet të hap tender të ri për të vazhduar këto projekte.

Kontrata e parë ka të bëjë me ndërtimin e Lapidarit në fshatin Prapashticë për dëshmorët e vitit 1921, Lot 1. Për mosfinalizimin e këtij projekti është ndëshkuar kompania “Wenda”. Kjo kompani më së shumti ka marrë kontrata në komunat që ka udhëhequr LDK-ja.

Kompania e dytë, të cilës i është shkëputur kontrata, është “NB COMPANY shpk”. Kjo kompani, sipas komunës, nuk e ka finalizuar ndërtimin e rrugës në fshatin Radashevc, Lot 5.

Kompanisë së tretë “Bashkimi-Meti”, iu shkëput kontrata që e kishte me komunën për ndërtimin e një rrugë në fshatin Koliq.

“Kontratat janë ndërprerë me 3 operatorë ekonomikë, si në vijim: – Ndërtimi i Lapidarit në Prapashticë për dëshmoret e vitit 1921 Lot I, ( N.N.P. Wenda ) – Ndërtimi i rrugës në fshatin Radashevc – Lot 5, (OE: NB COMPANY shpk) – Ndërtimi i rrugës në Lagjen Hajdaraj – Fshati Koliq – Lot 3, (OE: BASHKIMI-METI shpk)”, thuhet në përgjigjen e komunës.

Këto kompani, sipas zyrtarëve të komunës, i kanë mbajtur projektet e papërfunduara.

“Kompanitë në fjalë nuk kanë dëshmuar profesionalizëm dhe seriozitet në zbatimin e planit dinamik. Rrjedhimisht, kanë pasur ngecje të mëdha në realizim të punimeve duke mbajtur projektet e papërfunduara dhe duke vështirësuar jetën e qytetarëve në lokacionet përkatëse”, kanë thënë autoritetet komunale. /Demokracia.com/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *