Ish- i burgosuri politik dhe njëherit edhe një ndër themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Nait Hasani, në Blic Interview, thotë se nëse Qeveria Kurti pranon krijimin e një autonomie serbe në Kosovë, atëherë kjo është gjendje e mjerueshme.
Hasani potencoi se nëse ndodhë një gjë e tillë, Qeveria Kurti duhet të rrëzohet.
“Nëse Qeveria pajtohet për krijimin e një autonomie dhe lejon të bëhet një gjë e tillë, atëherë ajo është një dobësi e Qeverisë, një gjendje e mjerueshme. Ajo Qeveri në Kosovë që krijon një autonmi për serbët, ajo Qeveri duhet të shkojë në shtëpi dhe një autonomi e serbëve nuk do të lejohet në asnjë formë në Kosovë”, thotë Hasani.
“Rrethanat kanë ndryshuar, presionet janë më të mëdha ndaj Kosovës por nuk na detyrojnë neve të pajtohemi, ata kërkojnë nga Qeveria e Kosovës t’i bind qytetarët që të pajtohen. Prandaj, lufta jonë ka qenë që mos të pajtohemi që të kemi një Serbi brenda Kosovës, sepse atëherë nuk do të kemi Kosovë dhe kjo Kosovë është e pavlerë nëse do të ketë një autonomi brenda”, shtoi Hasani.
Hasani sygjeron që pala kosovare të dëgjojë SHBA-të në lidhje me Asociacionin.
“Varësisht prej marrëveshjes, ne kemi aleatë amerikanët që ne besojmë tek ta. Amerikanët që kanë qenë pjesë e marrëveshjes së 2013-tës e 2015-tës, janë edhe sot. Pra, nëse ne jemi aleatë me Amerikën, atëherë neve na duhet që t’i dëgjojmë miqtë tanë sepse janë mbështetësitë tanë, janë edhe çlirimtarët tanë. Ne jemi baza kryesore e çlirimit, bashkë me ndihmën e tyre”, thotë Hasani.
“Unë e kam parë Qeverinë për gati dy vite që është pjesë e pushtetit, opozita nuk ka bërë një veprim transparent për ndryshime sepse nuk është e lidhur dhe ka qenë shumë e ndarë në aspektin e vet. Opozita nuk ka prioritetet se çfarë duhet të bëjë, merret veç me një kundërshtim ndërsa qytetarët kanë mbetur në heshtje ku nuk ka asnjë protestë për Qeverinë. Çmimi i rrymës është rritur, uji poashtu, çmimet janë ekstreme, pagat janë të ulëta dhe nuk asnjë lëvizje”, thotë Hasani.
Hasani ka përmendur përsëri fjalimet VV’së kur ishin në opozitë në lidhje me Asociacionin, ku sipas tij këto janë efekte negative të Qeverisë Kurti.
“Qeveria është jotransparente për bisedimet, ata thanë që nuk e njohin Asociacionin ndërsa sot Asociacioni është publik. Ministrat e Qeverisë kanë thënë që vetëm kur përmendet Asociacioni, ne kemi me dhënë dorëheqje, ndërsa sot Asociacioni është në kuptimin e përgjithshëm të Qeverisë duke modifikuar këtë fjalë me emrin menaxhim ose në forma të tjera. Këto janë negativitetet që i ka prezantuar Qeveria”, tha Hasani.