Vendosja e flamujve kombëtar për nder të 28 Nëntorit, në xhaminë e fshatit Bellopojë, nuk po i pëlqen të gjithëve.
Kështu të paktën pretendon Imami i kësaj xhamie, Kujtim Hyseni, i cili në një prononcim për Portalin Dukagjini, ka thënë se një grupacion i njerëzve të cilët ai i ka cilësuar si radikal, ka kërkuar nga ai t’i heqë flamujt nga xhamia.
Hyseni, po ashtu ka thënë se ata njerëz e kanë paralajmëruar se do t’i heqin flamujt sepse sipas tyre shqiponja në të është “haram”.
Imami Hyseni, ka theksuar se për këtë rast i ka lajmëruar edhe organet e rendit.
“Zakonisht kemi koordimim me këshillin e xhamisë, me këshillin e BIK, jemi bashkëpunëtor i kryeimamit i Bekim Jasharit, që kemi shumë aktivitete me të. Jemi prek me këtë rast sepse si ka mundësi që disa njerëz ideologji deri në këtë formë që ka arrit shpëlarja e trurit të tyre, me na prekë në ndjenja kombëtare ku i pengon flamuri kombëtar në minaren e xhamisë. I kemi njoftu organet e rendit për këtë rast që është shqetësues për neve”, ka thënë ai.
Momentin kur e kam përmend dy apo tri ditë përpara, kam pasur reagim të ashpër duke me thënë se ti e vendos por ne ta heqim, jemi të shqetësum për këtë rast. Janë disa grupacione që kanë ideologji të errët dhe janë të ndikuar nga Lindja e Mesme, të njëjtit shfaqin probleme për heqjen e flamurit, për arsye se sipas tyre shqiponja është haram”, ka vijuar ai.
Imami Hyseni, ka thënë se ky grupacion i njerëzve mund të tentoj t’i heqë flamujt të hënën pasdite.