Gazeta Sinjali raportoi pak më parë për një incident në të cilin është përfshirë reperi nga Ferizaj, Gramoz Aliu, i njohur si “Mozzik”, i cili ka përfunduar në Polici para dy ditësh, nën dyshimin për kanosje.
Ai u intervistua si i dyshuar për kanosje me armë në lagjen Panorama, ku edhe jeton rep-artisti.
Lidhur me këtë rast, Prokuroria Themelore në Ferizaj ka nisur hetimet dhe e ngarkon të dyshuarin për dy vepra penale.Mozzik do të hetohet nën dyshimin se ka kryer veprat “Kanosje” dhe “Përdorim i armës”.
Teksa hetimet po zhvillohen lidhur me këtë rast, revolja të cilën reperi e posedonte me leje, është sekuestruar nga Policia.Gjatë intervistimit nga hetuesit policorë, Mozzik e ka mohuar se e ka kërcënuar me armë personin në fjalë, duke shtuar se armën nuk e ka përdorur fare.
Rasti është konfirmuar edhe nga kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari, i cili ka thënë se arma është dorëzuar dhe janë dhënë dy dëshmi të ndryshme lidhur me përdorimin e armës.“I dyshuari është liruar në procedurë të rregullt pasi kanosja nuk ka qenë e atij niveli shumë serioz. Kanosja ka ekzistuar mirëpo nuk ka qenë me seriozitet për rrezik se mund të përsëritet, prandaj nuk është ndaluar. Arma me leje është sekuestruar.
“Dy dëshmi i kemi lidhur me rastin dhe hetimet janë duke vazhduar në këtë drejtim”, tha Jashari për Sinjalin.
Sipas informacioneve të para, Mozzik e ka kanosur me armë një person (emër i njohur për redaksinë), në afërsi të shtëpisë së viktimës, si pasojë e një mosmarrëveshje momentale që kanë pasur me njëri – tjetrin dhe eskaloi në kërcënime.