Një kërkesë për shoqëri në rrjetin social Instagram është bërë mollë sherri që dy çifte në Suharekë të përleshen mes vete pas një konflikti verbal. Kjo ngjarje jo fort e zakonisht ndodhi në shtëpinë e njërës palë, në rrugën “Skënderbeu” në Suharekë, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se lidhur me këtë përleshje është vënë në dijeni edhe Prokuroria, me ç’rast kanë nisur hetimet për lëndim trupor.
Por si ndodhi ngjarja?
Në shtëpinë e njërës palë, çift bashkëshortor, kishin shkuar një burrë dhe një grua që janë në lidhje dashurie, për të sqaruar një telashe që e kanë konsideruar goxha të madhe e problematike. Gjithçka lidhet me kërkesën e burrit të martuar për ta ndjekur në Instagram të dashurën e të dyshuarit tjetër.
Ky debat që dyshohet se kishte nisur virtualisht eskaloi kur çifti që janë në lidhje dashurie shkuan te shtëpia e çiftit tjetër për ta zgjidhur problemin. Aty palët filluan të përleshën me njëri-tjetrin, 2 vs 2, deri në atë pikë sa pësuan edhe lëndime trupore.
Për pasojë, ata u detyruan të marrin trajtim mjekësor në qendrën emergjente në Suharekë.
Tashmë përveç problemit në Instagram, ata i zuri sherri edhe në Polici, kur dikush e denoncoi rastin dhe të njëjtit u shoqëruan në stacion policor për t’u intervistuar.
Pasi kanë dhënë deklaratat e tyre në lidhje me ngjarjen, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit.