Kompleksi memorial ‘Adem Jashari’ në Prekaz të Poshtëm të komunës së Skenderajt ku prehen trupat e 56 anëtarëve të familjes Jashari që humbën jetën në betejën e lavdishme të 5, 6 dhe 7 marsit të vitit 1998, është ndër vendet më të vizituara në Kosovë.
Një 26-vjeçare që shkoi për vizitë atje, ka hequr dhe ka marrë me vete shkronjat që ndodhen mbi varrin e komandantit, Adem Jashari, si “kujtim”.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Emanuela Kurtaj, e cila dyshohet se e kreu veprën derisa ishte nën ndikimin e alkoolit.
Sinjali mëson se pas arrestimit dhe ndalimit për 48 orë, brenda afatit ligjor, Prokuroria ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj saj.
Vendimi ndaj saj është marrë dje, me ç’rast Gjykata Themelore në Mitrovicë, dega në Skenderaj, aprovoi kërkesën dhe ia caktoi një muaj paraburgim.
Ndryshe, ngjarja ka ndodhur më 12 tetor dhe rasti është iniciuar rasti ‘Dëmtimi, shkatërrimi dhe nxjerrja e paautorizuar e monumenteve ose objekteve të mbrojtura jashtë Republikës së Kosovës’.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.