I mituri nga Suhareka blen narkotikë për 20 euro, babai ia thërret Policinë – personi që i’a shiti u…

Shitblerja dhe konsumimi i drogës është një dukuri që po lulëzon në të gjitha qytetet e Kosovës dhe po prek në veçanti të rinjtë, duke e dëmtuar shëndetin e tyre, raporton Gazeta Sinjali. Një rast i tillë është zbuluar edhe mbrëmë, në rrugën ‘Vëllezërit Bytyqi’ në Suharekë, pas denoncimit të një prindi, i cili e raportoi djalin e tij për posedim të narkotikëve.

Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë intervenuar menjëherë në vendin e ngjarjes, ku është arrestuar i dyshuari, i moshës 17-vjeçare, të cilit zyrtarët policorë me rastin e kontrollit ia gjetën një qese me substanca narkotike.

I riu që u denoncua nga babai dyshohet se e bleu qesen me narkotikë për 20 euro nga i dyshuari tjetër, 21-vjeçar F.G, i cili po ashtu pas një periudhe të shkurtër u arrestua nga Policia.

Dy të dyshuarit për shitblerje u dërguan në stacion policor, ku janë intervistuar për veprën me të cilën ngarkohen, ndërkohë që Policia ka sekuestruar edhe disa prova që lidhen me rastin. Siç mëson Sinjali bëhet fjalë për qese me marihuanë, telefon dhe mbi 400 euro paa të gatshme, që iu gjetën të dyshuarit kryesor.

Pas intervistimit, ndaj të riut që po dyshohet për shitje dhe shpërndarje të narkotikëve, Prokurori i Shtetit ka dhënë urdhër për ndalim prej 48 orësh, ndërsa i mituri është liruar dhe do të hetohet në procedurë të rregullt.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *