I akuzuari për shtytje në terrorizëm, Liridon Beqiri tha se të ardhmen e tij e sheh si doktor-fizioterapeut dhe ashtu dëshiron të njihet e jo si terrorist apo i akuzuar për terrorizëm.
Beqiri në seancën e 4 marsit 2024 e kishte pranuar fajësinë lidhur me veprat penale “Shtytje në terrorizëm” dhe armëmbajtje pa leje, andaj ndaj tij është veçuar procedura, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“E kisha lut Gjykatën me marrë parasysh unë ardhmen tem unë e shoh si një doktor, si një fizioterapeut dhe kiropraktikë, ashtu kom qejf m’u njoftë edhe emni jem dhe jo si një terrorist ose i akuzum për terrorizëm”, tha i akuzuari Beqiri.
Këtë deklarim, ai e bëri të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në seancën ku palët paraqesin rrethanat qoftë rënduese apo lehtësuse të cilat ndikojnë në llojin apo lartësinë e caktimit të dënimit.
Sipas Beqirit, në kohën kur kishte ndodhur vepra penale nuk e kishte ditur peshën që nga një fotografi me armë do të akuzohej për terrorizëm. Ai tha se është penduar dhe kërkoi nga gjykata që ndaj tij të shqiptojë dënim më të ulët.
I akuzuari Beqiri po ashtu tha se ai nuk duhej të merrej shembull për veprimet e bëra.
“E them publikisht edhe për popullin edhe për rininë time…. mos me bo çka kam bo unë se i pret një e ardhme, mos me marrë si shembull, shembullin tem se i pret një e ardhme që te evladë e tyne ka me ndiku si qysh ka me u ndiku edhe te unë që kanë me u quajt…kanë m’u bullizu që baba yt u kanë terrorist apo i akuzum për terrorizëm”, tha i akuzuari Beqiri.
Paraprakisht, prokurorja speciale Fikrije Fejzullahu tha se pranimi i fajësisë nënkputon pendimin e të akuzuarit Beqiri.
“Nuk është kontestues fakti që i akuzuari ka pranuar fajësinë për dy veprat penale sipas aktakuzës, rrethanë kjo që sipas ligjit vlerësohet nga ana e gjykatës me rastin e caktimit të llojit dhe lartësisë së dënimit sepse në mënyrë indirekte pranimi i fajësisë nënkupton edhe pendimin në raport me kryerjen e veprave penale”, tha prokurorja Fejzullahu.
Sipas saj, rrethanat lehtësuese duhet të vlerësohen si të tilla, por jo të mbivlerësohen.
Prokurorja Fejzullahu tha se duke marrë parasysh se i akuzuari Beqiri ishte student, do të pritej veprimtari pozitive, e që në rastin konkret ai kishte ndërmarrë veprime të rrezikshme. Ajo ka kërkuar nga gjykata që edhe rrethanat rënduese t’i marrë parasysh.
Sipas Fejzullahut, veprimet e të akuzuarit Beqiri për shoqërinë e cila e rrethon ishin të rrezikshme pasi që rreth tij, mënyrës dhe vendit ku ishin kryer veprat penale, ishin grumbulluar dhe motivuar edhe të akuzuarit të tjerë në këtë rast, që të gjithë i përkisnin një moshe të re, ku këto rrethana rëndojnë pozitën e të akuzuarit Beqiri.
Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Beqiri, avokati Veton Rrecaj tha se i mbrojturi i tij me pranim të fajësisë kishte shprehur pendim të thellë, duke kërkuar nga gjykata që këtë ta merrte si rrethanë lehtësuese.
Po ashtu, avokati Rrecaj kërkoi që gjatë matjes së dënimit t’i ketë parasysh dispozitat ligjore për matjen dhe zbutjen e dënimit, ashtu që ndaj të mbrojturit të tij të shqiptojë një dënim sa më të ulët, me të cilin do të arrihej qëllimi.
Ndryshe, në këtë rast akuzohen edhe Besart Veselaj, Ernes Beqiri, Argiend Hoti dhe Altin Salihu, të cilët janë deklaruar të pafajshëm në seancën fillestare të mbajtur më 4 mars 2024.
Sipas aktakuzës së ngritur më 24 janar 2024, thuhet se të akuzuarit Liridon Beqiri, Besart Veselaj, Ernes Beqiri, Argiend Hoti dhe Altin Salihu, nga periudha e panjohur kohore e në vazhdimësi në bashkëkryerje, kanë shpërndarë dhe mundësuar përcjelljen e mesazheve te personat tjerë në kryerjen e akteve terroriste.
Me këtë, të akuzuarit në bashkëkryerje akuzohen se kanë kryer veprën penale “Shtytje në kryerjen e veprave terroriste” nga neni 134 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Ndërsa, sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, të akuzuarit Liridon Beqiri dhe Besart Veselaj prej datës të pavërtetuar e në vazhdimësi, kanë mbajtur në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar armët në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm.