Me kërkesën e të akuzuarit Emin Lati, pasi nuk mund të paraqitej për shkaqe shëndetësore, është anuluar seanca në rastin ku i njëjti ngarkohet se ka kanosur deputeten Mimoza Kusari-Lila.
Një konfirmim i tillë u bë nga gjykatësi i rastit Driton Berisha, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas gjykatësit Berisha palët u njoftuan me kohë për anulim të seancës, ndërsa seanca e radhës nuk është caktuar ende.
Emin Lati akuzohet se në emisionin “Frontal”, në T7, në korrik të 2023-ës, ka kanosur Kusari-Lilen, e cila është edhe shefe e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes. Ai ngarkohet me dy vepra penale, për “kanosje” dhe për “nxitje të përçarjes dhe mosdurimit”.
Sipas aktakuzës, Lati në emisionin televiziv kishte thënë se: “Jena ligë na veteranët se atë duhet me e ngreh zhag nëpër asfalt derisa të ja qesim eshtrat në tokë”.
Veç kësaj, Lati akuzohet edhe se ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje ndaj deputetes Kusari-Lila në mënyrë që të prishë rendin publik.
Aktakuza ndaj Latit është ngritur më 11 janar 2024 nga prokurorja Rukije Sheshivari.
Në Polici, Lati kishte thënë se ka deklarimet në emisionin Frontal i ka pasur emocionale. Ai ka thënë se ishte ndier i ofenduar dhe keq emocionalisht kur kishte dëgjuar përgjimet e Mimoza Kusari-Lilës me një deputet serb që ka folur për heqjen e veteranëve nga ligji për pagën minimale.
Kusari-Lila kishte ushtuar kallëzim penal ndaj Latit, duke deklaruar para organeve të hetuesisë se qenë periudhë sfiduese për sigurinë e saj dhe të familjes së saj pas deklaratave të Latit.
“Deklaratat e tilla po që ka ndjellë dhunë, ka bërë thirrje për cenimin e integritetit tim fizik, dhe si e tillë jam e bindur se duhet të sanksionohet me të gjitha masat ligjore në mënyrë që si praktikë të mos persëritet ndaj askujt…”, kishte deklaruar Kusari-Lila.
Kusari-Lila ka deklaruar se ndjehet e kërcënuar dhe e abuzuar nga deklaratat publike të Latit.