Hovenier: Qeveria të bëjë përpjekje për të rritur numrin e grave police

Me rastin e 10 vjetorit të themelimit të Shoqatës së Grave të Policisë së Kosovës, u vu në theks rëndësia dhe të arriturat e këtyre të fundit në shërbimin e qytetarëve të Kosovës, për të krijuar siguri dhe rend. Gjithashtu, u premtua përkrahje e vazhdueshme nga përfaqësues vendorë e ndërkombëtarë, që gratë police të Kosovës të shtohen në numër dhe të arrijnë sa më shumë rezultate.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Hovenier tha se besojnë se gratë janë thelbësore për suksesin e misionit të Policisë së Kosovës, për të mbrojtur dhe për t’i shërbyer qytetarëve të Kosovës.

Ai shtoi se SHBA-ja e ka prioritet ndihmën ndaj sektorëve të drejtësisë penale të Kosovës.

“Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur këtë organizatë, SHGPK, që nga fillimi i saj, sepse ne besojmë se gratë janë thelbësore për suksesin e misionit të Policisë së Kosovës për të mbrojtur dhe për t’u shërbyer të gjithë qytetarëve të Kosovës, dhe për t’u përballur me krimin transnacional, drogën ilegale, dhe jostabilitetin. Shtetet e Bashkuara e kanë bërë prioritet ndihmën ndaj sektorëve të drejtësisë penale të Kosovës, përfshirë policinë. Pra, autoritetet mund të mbrojnë në mënyrë efektive sundimin e ligjit dhe të ofrojnë drejtësi. Ne besojmë se përfshirja e grave në këtë përpjekje, dhe sigurimi i pjesëmarrjes së tyre kuptimplotë si praktikues të drejtësisë penale është e domosdoshme, është thelbësore”, tha Hovenier, raporton KP.

Ambasadori Hovenier potencoi se globalisht nuk ‘po ecim mirë’, sa i përket përfshirjes së grave në polici dhe organe të tjera të drejtësisë. Ai shtoi se pret nga Qeveria e Kosovës që të vazhdojë përpjekjet për të rritur shifrën e grave pjesëmarrëse në polici.

“Duhet të jem i sinqertë, ne globalisht, nuk po ecim shumë mirë për momentin, rreth 15% e policëve në mbarë botën janë femra, rreth 27% e gjyqtarëve në mbarë botën janë femra. Më duhet të besoj se përbërja, përbërja etike e popullsisë globale nuk përputhet me ato shifra. Dhe situata në Kosovë pasqyron edhe statistikat, femrat aktualisht përbëjnë vetëm rreth 14% të forcës policore të Kosovës, por ndoshta nuk kam nevojë t’iu them këtë, mendoj se ju e dini mirë. Pra, ne shikojmë nga Qeveria e Kosovës, ne shikojmë nga autoritetet e Kosovës, kam shikuar nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës dhe ekipi i tij, që të vazhdojnë përpjekjet e tyre për të rritur këto shifra sepse duke bërë kështu ju do të përmirësoni sigurinë dhe drejtësinë për të gjithë qytetarëve të Kosovës. Dhe dua të ritheksoj se Shtetet e Bashkuara janë shumë, shumë të gatshme për të ndihmuar”, potencoi Hovenier.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *