Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka deklaruar se takimi i Ohrit është një mundësi e jashtëzakonshme për Kosovën dhe Serbinë për të arritur marrëveshje mbi planin evropian për normalizim të marrëdhënieve.
Në një takim me gazetarë, ambasadori Hovenier, tha se aktualisht fokusi kryesor i tyre është te zbatimi i aneksit të marrëveshjes.
Ai theksoi se kjo është një marrëveshje e përkohshme që i ripozicionon marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, derisa nënvizoi se nuk kanë lëvizur nga qëndrimi i kamotshëm i ShBA-së, se marrëveshja përfundimtare duhet të përmbajë njohjen reciproke, mirëpo tha se aktualisht një gjë e tillë nuk është e mundur.
“Nga këndvështrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ky është një moment mjaft i rëndësishëm në lidhje me përpjekjet tona të vazhdueshme për të avancuar integrimin e Kosovës në strukturat evropiane dhe euroatlantike dhe për të zënë vendin e saj në Ballkanin Perëndimor si shtet sovran dhe i pavarur. Kjo marrëveshje e përkohshme, për të cilën po punohet, edhe zbatimi që po negociohet në Ohër këtë fundjavë, ne e konsiderojmë si një hap shumë të rëndësishëm përpara dhe mendojmë se një marrëveshje e plotë është e arritshme. Ne besojmë se kjo marrëveshje, 11 pikat që janë rënë dakord, aneksi zbatues që është në negocim sjell përfitime reale, praktike si politike ashtu edhe ekonomike. Pra, dua të jem i qartë se 11 pikat aktuale, ato nuk po negociohen”, tha ai.
Sipas tij, palët në dialog duhet të përqendrohen edhe te zbatimi i planit të BE-së për dialogun, pasi tha se ShBA-të vlerësojnë se momentalisht nuk ka marrëveshje më të mirë në tavolinë.
“Ajo që po negociohet është një aneks që do të flasë për çështjen kritike se si të zbatohen këto parime dhe si të bëhet kjo në mënyrë efektive, dhe ky është fokusi ynë kryesor, një zbatim i suksesshëm dhe efektiv. Duhet të jem i qartë, Shtetet e Bashkuara nuk vlerësojnë se një marrëveshje më e mirë është e disponueshme në këtë moment, ose është në dispozicion në këtë moment. Ky është një hap i rëndësishëm përpara, është një mundësi e jashtëzakonshme, avancon stabilitetin rajonal, ripozicionon marrëdhëniet Kosovë-Serbi në një status quo shumë më të mirë. Është një marrëveshje e përkohshme, dhe Shtetet e Bashkuara qëndrojnë fuqishëm prapa dhe me një pozicion që e kemi mbajtur për vite me radhë, se ne kërkojmë një marrëveshje përfundimtare që përfundimisht të përqendrohet në njohjen reciproke”, shtoi ai.
Sipas ambasadorit amerikan, plani i BE-së për dialogun nuk përmban njohjen de-jure mes dy vendeve, por njohja reciproke duhet të ndodh në marrëveshjen përfundimtare, ligjërisht të obligueshme.
“Nuk shoh referencë në këtë marrëveshje bazë shumë formale, njohjen de-jure të Kosovës. Kështu që nuk jam i sigurt se mund të flas për këtë sekuencë, e vetmja gjë që mund të them është se këtu jemi në anët pozitive që vijnë nga ku jemi. Dhe mund të them gjithashtu se ekziston kjo pikëpamje afatgjatë se në fund do të duhet të ketë njohje reciproke midis këtyre dy vendeve, por kur do të ndodhë dhe në çfarë kushtesh, është e vështirë për mua të them tani… Pozicioni i Shteteve të Bashkuara është i qartë, ka qenë dhe do të jetë, dhe nuk e shoh atë duke ndryshuar, por ne duhet të merremi me momentin në të cilin jemi, dhe mendoj se realiteti është për një sërë faktorësh, por kryesisht për shkak të vendimeve që po merren nga lidershipi në Serbi gjasat për arritjen e njohjes reciproke në këtë moment nuk janë shumë të larta dhe nevoja për një status quo të ri të ripozicionuar në marrëdhëniet Kosovë-Serbi që kontribuon më shumë në një stabilitet më të madh rajonal dhe i lejon Kosovës të lëvizë përpara në shumë mënyra, është edhe e arritshme dhe e rëndësishme”, tha ai.
Duke folur për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, Hovenier tha se i njëjti duhet të themelohet, por shtoi se Kosova nuk mund të zbatojë diçka që është në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015.
“Ne i kuptojmë disa nga shqetësimet që janë ngritur. Besojmë se është shumë e rëndësishme që Asociacioni të kontribuojë në funksionimin e mirë të Kosovës, shtetit dhe shoqërisë, në vend që të heq atë. Pra, ne kemi qenë të qartë, nuk besojmë se është e përshtatshme që Kosova të pajtohet me ndonjë gjë që do të ishte në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Ne nuk besojmë se është e duhura që Kosova të zbatojë diçka që nuk është në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015. Këto janë disa udhëzime, por brenda kësaj hapësire, ka një hapësirë të mjaftueshme për atë që do të jetë kjo. Shpresojmë që ata do ta kalojnë këtë proces këtë fundjavë dhe kjo do të ecë përpara sepse mendojmë se është një element shumë i rëndësishëm për ripozicionimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, duke pasur këtë status quo të re, më të qëndrueshme, më pozitive. Por gjithashtu e ndihmon Kosovën të jetë më e suksesshme për të qenë ajo që është, një shtet demokratik multi-etnik që ka dispozita dhe struktura për të mbrojtur të drejtat e të gjithë qytetarëve të saj, përfshirë qytetarët nga komunitetet pakicë”, tha Hovenier.
Ai foli edhe për modelet e pakicave kombëtare që janë prezantuar nga emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.
“Çështjet që lidhen me pakicat kombëtare, ju e dini, janë të ndjeshme në të gjithë Evropën, por ka gjithashtu shumë përvojë pozitive në të gjithë Evropën se si mund ta bëni këtë në një mënyrë që të adresojnë edhe shqetësimet e komunitetit pakicë që dëshiron të sigurojë respektimin e kulturës dhe traditave të tyre dhe interesin e tyre kombëtar në një farë mënyre si etni, por edhe garanton mirëfunksionimin e një shteti, apo jo? Dhe besoj z. Lajçak u ka dhënë palëve, ato që unë i quajta vetëm shembuj si diçka për ta konsideruar me kujdes për t’i motivuar. Me disa prej tyre, kemi biseduar për diçka, më kujtohet shumë vite më parë duke punuar në Kroaci, njerëzit shpesh flasin për modelin e ISHUJVE EIVEN13.57, kemi punuar kohët e fundit këtu me njerëz që ndajnë përvojën e SUIT DE ROLE 14.02, për shembull, por ka edhe shumë të tjerë. Unë nuk mendoj se kjo ka për qëllim të zëvendësojë, nuk mendoj se kjo është menduar të ndjekë këtë model saktësisht, sepse çdo rast është paksa i ndryshëm, por është për t’iu treguar parimet, mundësitë dhe mjetet efektive për të bërë këtë gjë sfiduese”, theksoi ai.
Sa i përket kritikave të dy partive opozitare, PDK dhe LDK- për planin e BE-së për dialogun, ai tha se shpreson që ato t’i vendosin përpara interesat kombëtare para atyre partiake.
“Kam pasur rastin në ditët e fundit të bisedoj me kryesinë e PDK-së dhe LDK-së dhe AAK-së për këtë çështje, si dhe me presidenten dhe kryeministrin në përpjekjet e mia që në emër të Shteteve të Bashkuara të bëj gjithçka që është e mundur për të mbështetur një rezultat të suksesshëm në Ohër, kam parë partitë aktuale opozitare në Kosovë gjatë disa viteve, në një sërë rrethanash të ndryshme, dhe do të themi se në fund të fundit, partitë që janë aktualisht opozitare, kur kanë pasur dallime apo shqetësime, në fund të fundit kanë vënë interesat kombëtare të Republikës së Kosovës përpara çdo konsiderate të brendshme politike, dhe mendoj që të njëjtën gjë do ta bënin edhe në këtë rast”, shtoi Hovenier.
Krahas kësaj, ai tha se arritja e marrëveshjes në bazë të planit të BE-së, krijon edhe kushtet për zgjedhjet në veri më 23 prill.
“Arritja e marrëveshjes, zvogëlon rrezikun e këtyre pikave të tensioneve dhe sasinë e këtyre pikave të tensioneve dhe pasojat e tyre. Pra fokusi ynë në Ohër është kjo marrëveshje. Nëse kjo marrëveshje arrihet atëherë, ju e dini shumë mirë mund të krijohen kushtet që të gjitha partitë të marrin pjesë në zgjedhjet e 23 prillit, kjo është ajo që shpresojmë. Ne do t’i mirëpresim serbët që marrin pjesë në ato zgjedhje dhe do t’i mirëpresim që ato zgjedhje të zhvillohen në kushte sigurie, dinjiteti, në të cilat proceset demokratike shkojnë përpara. Nuk mund të flas për atë që do të ndodhë në të vërtetë. Ne duhet të kalojmë përmes Ohrit, duhet ta kalojmë këtë marrëveshje, por kjo mbetet shpresa jonë, dhe mendoj se kjo është e tëra për momentin. Ne të gjithë duhet të bëjmë një bilanc pas Ohrit dhe çfarëdo të thotë kjo për sa i përket hapave të ardhshëm për një sërë gjërash të ndryshme, por duke përfshirë zgjedhjet e planifikuara të 23 prillit për komunat veriore”, deklaroi Hovenier.