Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se për marrëveshjen e nënshkruar ndërmjet Kosovës me Korporatën e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) për energjinë, Qeveria Kurti ka më së paku merita për ketë marrëveshje, raporton Ekonomia Online.
Hoti për Ekonomia Online ka thënë se Qeveria Kurti e ka vonuar nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje për së paku dy vite dhe se Kosova edhe atëherë ka qenë në programin Kompakt.
“Kjo marrëveshje ka filluar në vitin 2016 në Qeverinë Mustafa. Presidentja e atëhershme, Atifete Jahjaga dhe kryeministri Mustafa kanë punuar shumë në plotësimin e kushteve për t’u kualifikuar për këto programe, dhe indeksimi i Kosovës në listën sa i përket korrupsionit e kemi pasur goxha mirë, bile tash në vitin 2022, rangimi ka mbërri sa ka qenë në vitin 2017, pra ne atëherë jemi kualifikuar për programin Kompakt, dhe kah fundi i vitit 2018, ka një vendim formal të bordit të MCC-së që Kosova kualifikohet për programin Kompakt, dhe mandej ka filluar analiza e probleme që ka Kosova në rritjen ekonomike dhe në gusht të vitit 2020 qeveria e Kosovës atëherë ka pranuar letër nga MCC për t’u përcaktuar për projektet që do të financohen nga programi i MCC-së, dhe ne në shtator 2020 kemi dërguar letër në MCC ku i kemi listuar projektet që ne i dëshirojmë t’i financojmë përmes MCC-së, përfshirë rrjetin e gazit, termocentralin me gaz, efiçencën e rrjetit të shpërndarjes dhe një listë tjetër të projekteve”, ka thwnw Hoti.
Deputeti i LDK-së ka thënë se është gabim të thuhet se përmes këtij projekti rriten kapacitetet energjetike.
Ai ka thënë se bateritë akumuluese mundësojnë që të ruhet energjia e tepërt dhe kur bie sistemi të mbulohen mungesat me energji.
“Kur ka ardhur Qeveria ekzistuese, e ka kthyer situatën në pikën zero dhe kemi përfunduar tash me projektin e baterive. Pra janë shtyrë për dy vjet nënshkrimi i marrëveshjes, ka qenë i mundur të nënshkruhet së paku para një viti e gjysmë dhe janë larguar projekte që janë substanciale për stabilitetin e furnizimit me energji, sepse krejt tash çka janë bërë janë bateritë që merren vetëm me problemin e stabilitetit të furnizimit kur bie nga sistemi ose për të ruajtur energji në momente të caktuara por jo për rritje të kapaciteteve të prodhimit të energjisë siç ka qenë termocentrali me gaz”, ka thënë Hoti për EO.
Duke folur për këtë marrëveshje, ish-kryeministri ka thënë se Qeveria Kurti e ka vonuar së paku dy vjet, realizimin e kësaj marrëveshje.
“Financimi është ky që është, ajo që ka ndodh është që është vonuar Kosova për dy vjet për shkak të kësaj qasjes së mbrapsht që krejt çka është bërë në Qeveritë e kaluara të kthehen në pikën zero. Kjo është e para, vonesa gati dy vjeçare dhe problemi tjetër që janë larguar projekte substanciale siç ka qenë rrjeti i gazit dhe termocentrali me gaz”, ka thënë Hoti.