Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti ka thënë se në vitin 2022 janë hasur mbetje mortore në 11 lokacione.
Hoti në emisionin “Ditari” në Tëvë 1 ka deklaruar se mostrat e ADN-së që dyshohet se janë të 17 personave i kanë dërguar në Hagë.
“Mostrat janë dërgu në Hagë për analizat e ADN-së dhe ende jemi duke e prit raportin. Nga antropologët konsiderojnë se janë mbetjet e 17 njerëzve të ndryshëm por jemi në pritje të analizave. Unë besoj që brenda janarit mund të vijnë rezultatet”, ka thënë Hoti.
Hoti tutje ka shtuar se dyshohet për një varrezë masive në Serbi.
“Kemi qenë edhe në një lokacion në Serbi dhe ai është Shtavalli dhe ai mendoj që është shumë i rëndësishëm për neve. Ne besojmë se aty mund të jetë një varrezë goxha e madhe masive për shkak të informatave të shumta të dëshmitarëve kryesisht serbë që kanë pa disa autobusë me njerëz që i kanë dërguar në ato zona. Jo vetëm një por disa”, ka shtuar ai.
Tutje Hoti ka shtuar se vështirësi mbetet mungesa e bashkëpunimit me Serbinë për çështjen e të zhdukurve.