Historiani Kristo Frashëri, i ftuar në emisionin Shqip të gazetares Rudina Xhunga, ka dhënë disa dëshmi të rëndësishme për Heroin Kombëtar, Skënderbeun. Ai ka zbuluar vendin ku ka lindur Skenderbeu
Ja çfarë thotë historiani, i pyetur nga gazetarja Rudina Xhunga:
“Sipas dëshmive dhe jo legjendave, Skënderbeu si familje ishte dibrane, nga fshati Çidhën. Janë 5 breza që dokumentohen me akte që kanë jetuar në këtë fshat. Fshati Kastriot ka marrë emrin e familjes, që do të thotë ‘mbrojtës i kështjellës’. Kjo është një çështje lokale, fakti kryesor është që ai është shqiptar. Dhe ata të huaj që e kanë përvetësuar, si grekët, serbët e me radhë, kjo nuk e ul Skënderbeun, por e ngre aq shumë saqë edhe ata duan ta kenë të vetin. Por, fakti që luftoi si shqiptar e për Shqipërinë, atë askush nuk e ka mohuar.
Skënderbeu themelet e shtetit nuk mund t’i vendoste në Dibër, që ishte një zonë e izoluar. Atij i duhej një vend që ta kishte fytyrën nga Evropa. Kruja ishte qyteti më i përshtatshëm për këtë periudhë historike të shtetit shqiptar. Me fytyrë të kthyer nga Adriatiku, nga Italia, me komunikime shumë të lehta me viset italiane. Kruja kishte traditën e një qendre politike. Këto janë arsyet përse Skënderbeu e zgjodhi Krujën dhe vendosi selinë e shtetit të vetë.
Shteti i Skënderbeut përfshinte afërsisht Shqipërinë e Mesme të sotme. Kjo sepse nuk pati as mundësi e as mjete që ta zgjeronte këtë ndikim të vetin, që ai synonte. Fakti që ai shkoi dhe mori Beratin dhe shihte viset e jugut, tregon që ai kishte një vizion shumë të madh. Nuk donte të ishte zot lokal, por zoti i Shqipërisë, siç e thoshte edhe titulli që ai përdorte. Ai krijoi marrëdhënie me shtete të tjera ku përfaqësonte Shqipërinë, jo veç krahinën e tij.”- është shprehur Kristo Frashëri.