Dje në Shqipëri, u publikua një denoncim i një prindi, i cili pretendon se vajza e tij është dhunuar brenda kopshtit privat “Stinët”, në rrugën “Kushtrimi i lirisë” në Tiranë.
Ngjarja thuhet të ketë ndodhur në datën 1 Nëntor 2023 dhe si pasojë, e vogla është me këmbë të thyer, transmeton TvKlan.
Prindërit e vajzës janë njoftuar nga kopshti në orën 15:00 kur dyshohet se dhuna ndaj të miturës ka ndodhur rreth orës 10:20 të mëngjesit.
VIDEO
Denoncuesi: Ka qenë data 1 Nëntor 2023. Vajza u çua nga ime shoqe në orën 8 e 20 dhe ne ikëm në punë siç çdo ditë. Kur e çuam vajzën në mëngjes ishte në rregull, si çdo ditë tjetër. Në orën 3, njoftohet nusja që “hajde merre vajzën sepse ka dhimbje tek këmba dhe po grindet, diçka e ka pickuar”. Këmba ishte e enjtur dhe ishte fryrë sa koka e vajzës. Kur mbërritëm në Urgjencën e “Ushtarakut”, u futëm brenda dhe kërkuam ndihmën e shpejtë dhe aty dolën mjekët që ishin specialistë të kësaj fushe dhe në momentin që i bënë grafinë, grafia doli në një thyerje shumë të keqe, ishte thyer këmba, pjesa e kofshës në një gjendje skandaloze.
Emisioni investigativ “Stop” ka siguruar pamje filmike që tregojnë se edukatorja ushtron dhunë ndaj vajzës së vogël.
“Emisioni ”Stop” ka siguruar pamjet filimike të kopshtit “Stinët”, këtu jemi tek dhoma e vizatimit të këtij kopshti. Ajo që dyshohet është se rreth orës 10 të mëngjesit, diçka ka ndodhur me vajzën 3-vjeçare. Nuk dimë nëse ka qenë aksident apo dhunë e ushtruar nga personeli, por ajo që dimë është se vajzës 3-vjeçare i është thyer këmba. Kjo është eduktatore Lina. Nga pamjet kuptojmë se diçka nuk shkon me të. Ajo është e tensionuar, ku për disa minuta rri me kokë ulur vetëm në dhomën e vizatimit. Kjo është ora 10 e 36 minuta. Vogëlushja e lënduar futet në dhomë nga sanitarja. Pas pak, edukatore Lina e acaruar çohet dhe godet me vizore vajzën. Duket qartë që këmba e vajzës në këto momente është e lënduar nga dridhjet dhe lëvizjet që ajo bën. Edukatore Lina mesa duket po shqetësohet nga të qarat e vajzës dhe i kthehet përsëri duke e goditur në fytyrë që vajza të pushojë së qari. Sikur të mos mjaftonte kjo, vajza e vogël tërhiqet zvarrë nga dora dhe ulet brutalisht në një karrige. Dallohet qartë se vajza ka dhimbje nga këmba dhe qan nën zë pasi ka frikë nga edukatorja, por kjo e fundit tregohet e pamëshirshme dhe vazhdon duke e goditur me vizore në trup vajzën e vogël që ajo të pushojë. Pra, nga këto pamje kuptojmë që vajza është lënduar rreth orës 10 të mëngjesit, por mosdhënia e ndihmës nga personeli dhe mbajtja për orë të tëra me këmbën e lënduar ka çuar në thyerje totale të kockës, ndërsa prindërit e vajzës u njoftuan 5 orë më vonë, në orën 3 të padites, atëherë kur situata kishte dalë jashtë kontrollit”