Pesë ditë nga vrasja në “Bon Vivant” – Pse policia nuk po e shpall në kërkim Dukagjin Nikollajn?

Dukagjin Nikollaj i njohur me nofkën “Duka” është aktualisht personi më i kërkuar në vend. Po bëhen pesë ditë që kur ka ndodhur tragjedia në lokalin “Bon Vivant” në Prishtinë ku mbeti i vrarë një person dhe njëri ndër protagonistët më të përfolur i rastit ndodhet në arrati.

Organet e drejtësisë kanë dështuar në kapjen e tij.

Policia e Kosovës ende nuk e ka shpallur publikisht njoftimin me fotografi dhe të dhëna të tij që mund të ndihmojnë në kapjen e tij.

Ndonëse në rastet e tjera, policia kërkon ndihëm publikisht edhe nga qytetarët për gjetjen e personave në arrati, në rastin e Dukagjin Nikollajt nuk po vepron njejt.

Gazeta Insajderi ka dërguar pyetje në adresë të Policisë së Kosovës së përse ende nuk kanë shpallur publikisht në kërkim Dukagjin Nikollaj por ende nuk kanë kthyer përgjigje për Gazetën.

Një vrasje tjetër që ndodhi në këto pesë ditë në Klinë ku dorasi ndodhet në arrati – Policia e Kosovës përmes profilit zyrtar në Facebook, pas disa orësh nga vrasja e shpalli në kërkim të dyshuarin me fotografi dhe të dhënat e tjera. 

Por një gjë të tillë nuk po e bën edhe në rastin e vrasjes në “Bon Vivant”. Policia nuk po tregon pse.

I kërkuar Dukagjin Nikollaj është duke u përfaqësuar nga avokati i angazhuar nga e ëma e tij, Tomë Gashi.

Përpos përfshirjes në përleshjen në Prishtinë, Dukagjin Nikollaj ka të kaluar kriminale edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai është njëri prej shqiptarëve më të kërkuar nga FBI.

Dukagjin Nikollaj, sipas Byrosë Federale të Hetimeve (FBI), dyshohet të jetë i përfshirë në blerjen e sasive të mëdha të marijuanës nga Kanada dhe shpërndarjen e tyre në zonën e New Yorkut.

“Duka” thuhet të jetë pjesëtarë i organizatës kriminale “Krasniqi Organization”, të dyshuar për trafikim droge dhe vrasje.

Urdhër arresti për “Dukën” është lëshuar në maj të vitit 2010 nën akuzat për shpërndarje të lëndëve narkotike. Ai ka kontrolluar rrethin e drogës nga viti 2003 deri në vitin 2007. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *