Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se “pavarësisht ofertës sime, Serbia refuzoi të nënshkruajë marrëveshjen dhe draftin e 21 tetorit”.
Qëndrimin e tij që më herët e bëri të ditur edhe Zyra e Kryeministrit, Kurti e bëri të qartë edhe në Twitter.
”Pavarësisht ofertës sime, Serbia refuzoi të nënshkruajë marrëveshjen dhe draftin e 21 tetorit. Përkundrazi, ajo kërkoi një letër anësore që do të anulonte 3 parime të marrëveshjes dhe propozimin e 21 tetorit. Pranimi do të thotë nënshkrim, dhe nënshkrimi garanton pranimin dhe zbatimin”, tha Kurti në Twitter.
Kurti tutje ka treguar se sot e ka takuar Presidentin Macron, Kryeministren Meloni, Kancelarin Scholz, Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, Borrellin dhe Lajçakun.
“I falënderova secilin prej tyre për përpjekjet e tyre”, ka shkruar Kurti.
Kurti ka shkruar në Twitter edhe për sulmin terrorist të 24 shtatorit.
”Theksova se pas sulmeve terroriste të 24 shtatorit, rëndësia e sigurisë së Kosovës është parësore, siç është mbajtja e Serbisë përgjegjëse. Kosova ka pranuar/miratuar Marrëveshjen Themelore dhe unë ofrova ta nënshkruaj sot këtë herë së bashku me propozimin BE-së të 21 tetorit”, ka thënë Kurti, shkruan Gazeta Sinjali.