Haziri thotë se Kurti i ka përjashtuar nga dialogu Konjufcën dhe Osmanin

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka bërë me dije se kryeministri Albin Kurti ka përjashtuar nga procesi i dialogut me Serbinë edhe krerët shtetëror.

Ai ka thënë se presidentja Vjosa Osmani dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca janë shumë larg këtij procesi.

Në një intervistë për gazetën Nacionale, Haziri ka thënë se në të njëjtën mënyrë Kurti e ka përjashtuar edhe opozitën.

Z. Kurti ka përjashtuar nga procesi edhe z. Konjufca si kryetar i Kuvendit. E përjashtuar është edhe presidentja, fatkeqësisht. Pra, janë të përjashtuar prej procesit. E përjashtuar është edhe opozita më herët. Partitë kryesore, që kanë memorie institucionale dhe ekspertizë në negociata e dialog, janë të përjashtuar”, ka thënë Haziri.

Ai ka vlerësuar se deklarata e Osmanit dhe Konjufcen për dialogun e Brukselit janë vetëm për konsum të brendshëm.

“E vetmja hapësirë e tyre janë deklaratat e vonshme shpeshherë, por i lexoj më shumë për konsum të brendshme. Nuk kanë të bëjnë asgjë me procesin dhe me të vërteten. Janë deklarata për konsum të brendshëm dhe menaxhim ditor të situatave. Janë larg procesit”, ka deklaruar ai.

Sipas Hazirit, partitë opozitare për procesin informohen vetëm nga partnerët ndërkombëtarë.

Ne se paku, partitë kryesore opozitare jemi në koordinim të ngushtë me BE-në dhe me partnerët tjerë që janë të interesuar dhe janë të lidhur ngushtë me Kosovën. Se paku e kemi një komunikim aktiv. Ne e kemi taku z. Laçak si parti politike 11 herë, kurse kryeministrin e Kosovës vetëm 3 herë”, ka treguar Haziri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *