Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka folur për idenë e tij të kahmotshme të shkëmbimit të territoreve të Serbisë, në mënyrë që të zgjidhet problemi shqiptaro-serb.
Haziri e ka quajtur Luginën pjesë të territorit të Kosovës që sot është jashtë kufijve, transmeton lajmi.net.
“Pa të drejtë po i quajmë Luginë sepse Lugina apo Moravica është derivat territorial i një pjese të Preshevës. Dhe nëse e shihni kujdesshëm, disa zgjidhje që Serbia i ka ofru me letra në këtë kuptim, ata flasin vetëm për Moravicën që është Lugina e Lugina është një pjesë e Preshevës. Nuk flasin për problemin në tërësi. Ajo është një pjesë e territorit të Kosovës që ka mbet jashtë kufirit sot, ka qenë jashtë vijave administrative të ish-krahinës së Kosovës fatkeqësisht. Por si rajon, si komunitet politik apo etnik është pjesë e pandashme e Anamoravës…Medvegja është pak më larg, gjeografikisht lidhet me Prishtinë, një pjesë të Kamenicës por më shumë me Prishtinë”, ka thënë Haziri në një intervistë për lajmi.net.
Haziri ka shtuar se çdo zgjidhje që i pajton shqiptarët me serbët është e pranueshme. Shton se shkëmbimi territorial mund të ndodhë në rrethana të tjera, kur serbët dhe shqiptarët pajtohen.
“Çdo zgjidhje që i pajton shqiptarët me serbët është e pranueshme. Hapi i parë është që Kosova dhe Serbia me i zgjidh problemet. Hapi i dytë është pajtimi i shqiptarëve dhe serbëve ku Kosova e ka rolin e vet…Ideja e mëhershme është hap i dytë, ky është hap i parë. Kur të vjen koha e një pajtimi të shqiptarëve në Ballkan, kur të relaksohen raportet, kur Serbia e njeh Republikën e Kosovës edhe de-jure, pajtimi mes shqiptarëev dhe serbëve mund të ndodhë në rregulla dhe parime tjera”, ka shtuar ai.