Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më nuk mund të fshihet prej marrëveshjeve që ka bërë në procesin e Brukselit.
Në një intervistë për gazetën Nacionale, Haziri ka thënë se Kurti duhet ta pranojë se është pajtuar me themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
I dyti i LDK-së ka thënë se Kurti do të mbahet mend si krijuesi më i ri i Zajednicës.
“Duhet me thanë qartë se ai ka bërë kompromis në marrëveshjen e 18 marsit, ai e ka pranuar asociacionin që do të implementohet në territor të Republikës së Kosovës. Dhe z. Kurti nuk është kundërshtues i Zajednicës, është krijuesi më i ri i Zajednicës dhe implemtuesi i saj”, ka thënë Haziri.
Sipas tij, këtë marrëveshje do ta zbatojë kushdo që është në pushtet.
“E vërteta është se z. Kurti e ka pranuar Asociacionin apo Zajednicën siç i ka thënë ai. Se a do ta implemton ai, apo do ta implemeton një kryeministër tjetër, koha do ta dëshmon. Sot ai është kryeministër, dhe ai do të merret me implementimin e marrëveshjes. Kjo është e vërteta e madhe”, ka thënë Haziri.