Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, bashkë me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, kanë nënshkruar një udhëzues, sipas të cilit do të parandalohen kryerjet e veprave penale nga nxënësit.
Haxhiu thotë se ndër synimet e udhëzimit është parandalimi i kryerjes së veprave penale nga nxënësit, e veçanërisht të fëmijëve që nuk i kanë mbush 14 vjeç.
“Synimet e këtij Udhëzuesi janë si në vijim: Nxitja dhe përkrahja e ndërmjetësimit si metodë e përshtatshme e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve dhe konflikteve ndërmjet bashkëmoshatarëve në institucionet e arsimit para-universitar, mosmarrëveshjeve dhe konflikteve të shkaktuara si rezultat i dhunës: Parandalimi i kryerjes së veprave penale nga nxënësit, veçanërisht të nxënësve/fëmijëve nën moshën e përgjegjësisë penale (fëmijëve që nuk i kanë mbushur katërmbëdhjetë (14) vjet)”, thotë ministrja.
Tutje, ajo ka deklaruar se udhëzuesi vlen për të gjithë ata të cilët mund të kontribuojnë dhe veprojnë si ndërmjetësues për të zgjidhur konfliktet dhe mosmarrëveshjet midis bashkëmoshatarëve si: nxënësve dhe mësimdhënësve, drejtorëve të shkollave, prindërve, të afërmeve ose personave tjerë.