Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë që nga 1 marsi, pediatria do të funksionojë me vetëm një ndërrim nga ora 07:00, deri në orën 15:00. Kjo për shkak se një pediatre do të dal në pension gjatë këtij muaji. Ndërkaq, si pasojë e mungesës së pediatërve të specializuar dhe në bazë të udhëzimit administrativ, në kuadër të kujdesit parësor shëndetësor, nuk mund të ketë zëvendësime të reja.
Kështu thotë kryeshefi i Departamentit të Mjekësisë Familjare në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prishtinë, Valdet Hashani në një intervistë për KosovaPress.
Ai tregon se parashihet që pediatria në QKMF-në e kryeqytetit brenda pak vitesh të mbyllet si njësi, derisa tregon se aktualisht janë tre pediatëra specialistë dhe një shefe e pediatrisë, e që sipas tij, në asnjë rrethanë nuk mund t’i mbulojnë dy ndërrime.
Hashani theksoi se kanë njoftuar që në fillim të vitit, se nga 1 marsi, pediatria do të funksionojë me vetëm një ndërrim.
“Në konceptin e mjekësisë familjare të paraparë që nga viti 2000, nuk parashihet që në kujdesin parësor të ketë specializime të tjera. Me përjashtim të mjekësisë familjare, pra të mjekut familjar, të radiologut në vendet ku ka radiografi ose ku bëhen incizimet imazherike, stomatologët dhe ata të preventivës…gjithashtu edhe në vendet ku ka maternitete, në qendrat e mjekësisë familjare, që janë të inkorporuara edhe maternitetet, aty ka gjinekologë dhe pediatërë…Mirëpo, jo në të gjitha QKMF-të, ekzistojnë këto qendrat e shëndetit të gruas që quhen me shkurtesë. Sa i përket pediatrisë tek ne, ne veç kemi njoftuar, meqë një pediatre tani del në pension në shkurt, dhe kemi njoftuar që nga fillimi i këtij viti, që më një mars do të fillojë që njësia e Pediatrisë, e cila është në kuadër të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, do të punojë nga ora 07:00 deri në ora 15:00, me qëllim që të vazhdohet t’u ofrohet shërbim pacientëve. Kjo për shkak të mungesës së pediatërve. Ne momentalisht i kemi tre pediatërë specialistë dhe një shefe në pediatri që në asnjë rrethanë nuk mund ta mbulojmë me dy ndërrime dhe me shtatë ditë të javës”, tha Hashani.
Ndër të tjera, Hashani potencoi se si pasojë e mungesës së specializimeve nga pediatria dhe në pamundësi për të pranuar pediatërë të ri për shkak të legjislacionit në fuqi, QKMF-ja, do të punojë shtatë ditë të javës me një ndërrim nga ora 07:00, deri në orën 15:00.
Hashani theksoi se shumë shpejtë do të pensionohet edhe dermatologu, internisti dhe reumatologu.
Ai shtoi se ky vendim është marrë që nga viti 2000 dhe është në bazë të librit të verdhë, ku janë bërë politikat shëndetësore të pasluftës, sipas së cilave specializimet të cilat gjenden në kujdes parësor, të vazhdojnë të punojnë aty ku kanë punuar deri në pensionim.
“Për këtë arsye në mungesë të specializimeve nga pediatria dhe në mungesë të mundësisë për të pranuar pediatërë të ri për shkak të legjislacionit në fuqi. Meqë edhe në udhëzim administrativ, por edhe me ligj në kuadër të Kujdesit Parësor Shëndetësor, nuk mund të pranojmë specializime tjera. E njëjta ka ndodhur edhe me specialistët e mjekësisë së punës. Por, në të ardhmen ne vetëm muajin janar, kemi edhe pensionimin e dermatologut të fundit këtu në QKMF, ndërsa e kemi edhe internistin e reumatologun, të cilët shumë shpejtë do të pensionohen. Ky koncept që nga viti 2000, është marrë vendim, ka qenë edhe në bazë të librit të verdhë, ku janë bërë politikat shëndetësore të pasluftës që deri në pensionim specializantët të cilat gjenden në kujdes parësor, të vazhdojnë të punojnë aty ku kanë punuar”, theksoi Hashani.
Përveç këtyre, Hashani potencoi se në bazë të rrethanave, pediatria brenda 5-6 vjetëve, do të mbyllet tërësisht si njësi.
Ai potencoi se koncepti i Mjekësisë Familjare duhet të fillojë të implementohet në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, përfshirë edhe QKMF-në.
“Ne e kuptojmë shqetësimin e qytetarëve por duhet marrur parasysh, Prishtina i ka disa pediatërë, 3-4 pediatërë i kanë mbetur, edhe këta nuk kanë të mjaftueshëm edhe për 200 mijë, 300 mijë, 500 mijë banorë sa aktualisht i ka Prishtina. Këtë privilegj ose përparësi e ka pasur vetëm QKMF-ja, nëse e quajmë përparësi. Ndërsa, qendrat e tjera nuk e kanë, duhet të kuptojmë që koncepti i Mjekësisë Familjare duhet të fillojë të implementohet në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, përfshirë edhe QKMF-në. Andaj edhe ne nuk e ndërpremë punën, puna vazhdon me një ndërrim, dhe pacientët të cilët kanë nevojë që të kontrollohen, e kanë mundësinë nga ora 07:00, deri në ora 15:00 të bëjnë këtë vizitë, për shkak të mungesës së specialistëve të pediatrisë, veç pensionohen. Vitin e ardhëm do të kemi pensionim prapë, kështu vazhdon deri, brenda 5-6 vjetëve do të mbyllet sigurisht edhe si njësi”, tha Hashani.
Ndërkaq, sipas nenit 15 të udhëzimit administrativ në kuadër të Kujdesit Parësor Shëndetësor, profesionistët shëndetësor që ofrojnë shërbime shëndetësore në IKPsh janë: specialist i Mjekësisë Familjare, Doktor i Mjekësisë, Doktor i Stomatologjisë, Specialist i Pedodoncisë dhe preventivës, farmacist i diplomuar, Specialist i Biokimisë klinike, Infermier i/e diplomuar, mami e diplomuar, teknik laborant, teknik i farmacisë, radiologu e të tjerë.
Tutje, në këtë nen thuhet se në QKMF-të, ku funksionon materniteti, është i domosdoshëm Gjinekologu dhe Neonatologu ose Pediatri, derisa potencohet se punën vazhdojnë në KPSh, si konsulent të Mjekëve Familjarë deri në pensionim