Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka uruar ditën e veteranit.
Përmes një postimi në Facebook, i pari i AAK-së ka thënë se shërbimi dhe sakrifica e veteranëve gjatë çlirimit të vendit do të mbahet mend dhe nderohet gjithmonë.
“Urime Dita e Veteranit, ditë krenarie e lavdie. Shërbimi dhe sakrifica juaj gjatë çlirimit të vendit do të mbahet mend dhe nderohet gjithmonë”, ka shkruar Haradinaj.
Ndryshe, dita e Veteranit shënohet më 30 dhjetor, për të përkujtuar sakrificën, angazhimin dhe kontributin e veteranëve për sjelljen e lirisë dhe pavarësisë për popullin e Kosovës.
Më 30 dhjetor 1991 filloi përballja e familjes Jashari me forcat ushtarake serbe në Prekaz, ku nga kjo filloi edhe rezistenca ushtarake e UÇK-së.
Shënimi i kësaj dite është rregulluar sipas ligjit për veteranët e luftës së UÇK-së.