Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili po qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është takuar me emisarin special të ShBA-së për Ballkanin Perendimor, Gabriel Escobar.
I shoqëruar nga Kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, Haradinaj tha se me Escobar kanë diskutuar për zhvillimet në Kosovë, e në në veçanti për nevojën e marrëveshjes finale Kosovë – Serbi.
“U ndjeva i nderuar sot në Departament të Shtetit të takoj emisarin amerikan z. Gabriel Escobar, Ndihmës Asistent i Sekretarit të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Evroazisë.Në një takim të hapur dhe të sinqertë diskutuam zhvillimet politike në Kosovë, me theks të veçantë nevojën për arritjen e marrëveshjes finale, ligjërisht të obligueshme në mes të Kosovës dhe Serbisë.” – ka shkruar ish-kryeministri në llogarinë e tij në Facebook.
Haradinaj shtoi se ka falenderuar Gabriel Escobar dhe administratën amerikane për mbështetjen e vazhdueshme ndaj shtetit të Kosovës.
“Arritjet e Kosovës, nga vitet e 90-ta, lufta çlirimtare dhe shtetndërtimi kanë ndodhur në partneritet të përbashkët. Edhe Marrëveshja Finale duhet të jetë fitore e përbashkët.” – thotë Haradinaj, i cili shprehet se do të punojnë ngushtë me ShBA-në që partneriteti për paqe dhe anëtarësimi i Kosovës në NATO të arrihet me urgjencë.