Haradinaj: Krusha e Madhe dhe Krusha e Vogël na kujtojnë se sa e madhe ishte e sakrifica për lirinë e Kosovës

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj thotë se Krusha e Madhe dhe Krusha e Vogël na kujtojnë në çdo fundmars se sa e madhe ishte sakrifica e këtij populli për lirinë e Kosovës.

Haradinaj përmes një shkrimi në “Facebook” ka kujtuar 49 martirët e familjes Berisha nga Suhareka, të cilët u ekzekutuan mizorisht 24 vjet më parë, e ku 19 prej tyre ishin fëmijë.

“Kujtimi i martirëve dhe sakrifica e tyre është dëshmi për t’i kultivuar më tej dhe mbrojtur vlerat për të cilat ata dhanë jetën”, shkroi tutje Haradinaj.

Shkrimi i plotë:

Pas fillimit të fushatës së bombardimeve të NATO-s më 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe kishin intensifikuar edhe më shumë krimet, gjenocidin dhe dëbimin e popullatës shqiptare nga Kosova, duke mos kursyer as pleqtë, gratë dhe fëmijët.

Krusha e Madhe dhe Krusha e Vogël na kujtojnë në çdo fundmars se sa e madhe ishte sakrifica e këtij populli për lirinë e Kosovës. Mbi 350 motra e vëllezër tanë të pafajshëm, mizorisht i ndanë nga ne, ata që nuk patën mëshirë për askënd, ata që tentuan zhbërjen e qenies shqiptare nga dheu.

Gjithashtu, sot kujtojmë 49 martirët e familjes Berisha nga Suhareka, të cilët u ekzekutuan mizorisht 24 vjet më parë, e ku 19 prej tyre ishin fëmijë.

Kujtimi i martirëve dhe sakrifica e tyre është dëshmi për t’i kultivuar më tej dhe mbrojtur vlerat për të cilat ata dhanë jetën.

I përjetshëm qoftë kujtimi për ta!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *