Grabitjet e vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, biznese e institucione financiare janë bërë një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës, që po shkaktojnë humbje e pasiguri. Një rast i tillë, por jo fort i zakontë ka ndodhur edhe sot në orët e para të mëngjesit, në një motel në Gjilan, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se dy persona, të maskuar dhe nën kërcënimin e thikës kanë arritur ta grabisin një person, i cili ndodhej në motelin “Casablanca”.
Sipas informacioneve që posedon Sinjali, të dyshuarit kanë arritur t’i marrin nga një 23-vjeçar rreth 2 mijë euro para të gatshme dhe më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes pa lënë ndonjë gjurmë.
Posa rasti është denoncuar në Polici, njësitë policore kanë intervenuar, me ç’rast janë kryer ekzaminimet e nevojshme, si dhe është marrë një deklaratë nga viktima.
Me t’u përfunduar procedurat policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit dhe ndërmarrjen e veprimeve hetimore për zbardhjen e rrethanave të rastit.