Gjykata nuk lejon qasje në dëshminë e Adelina Ismailit dhe motrave të saj në rastin ndaj Enver Sekiraqës 

Pas shumë mungesave në seancat gjyqësore ku Adelina Ismaili dhe dy motrat e saj ishin ftuar që të dëshmonin kundër Enver Sekiraqës, sot më në fund ato do të dëshmonin. Por seanca u mbyll për publikun dhe mediat nuk u lejuan në sallë me vendim të gjykatësit

Në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, trupi gjykues mori vendim që të mbyllet për publikun dëshmia e Adelina, Ema dhe Zanfina Ismailit, në rastin ku Enver Sekiraqa po akuzohet për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës.

Propozimin që kjo seancë të mbyllet për publikun, e bëri avokati i tyre, Alban Makolli, pasi të njëjtat pritej të dëshmonin përmes video-lidhjes, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Me qëllim të mbrojtjes së integritetit dhe jetës private personale dhe familjarëve të këtyre dëshmitareve, propozoj që me u mbyll”, tha Makolli.

Ky propozim nuk u kundërshtua nga prokurori special Haki Gecaj, as nga i akuzuari Sekiraqa dhe mbrojtësja e tij, avokatja Kosovare Kelmendi.

Më pas, propozimi në fjalë u aprovua nga kryetari i trupit gjykues, Agim Kuçi.

Gjykata Themelore në Prishtinë, për herë të dytë më 16 shtator 2019, e kishte shpallur fajtor Enver Sekiraqën për nxitje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza dhe i kishte shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 30 vitesh.

Mirëpo, Gjykata e Apelit më 6 mars 2020, kishte vendosur të aprovojë ankesën e mbrojtjes së Sekiraqës duke e kthyer rastin për të dytën herë në rigjykim, pasi sipas Apelit aktgjykimi i shkallës së parë ishte marrë me shkelje të dispozitave të procedurës penale.

Sekiraqa për të njëjtin rast ishte dënuar edhe më 17 maj 2016, për dy vepra penale për “nxitje në kryerje të vrasjes së rëndë” dhe për veprën “detyrimi” me dënim unik prej 37 viteve burgim, kurse ishte liruar për veprën penale “dhunimi”.

Gjykata e Apelit, më 24 tetor 2017, kishte mbajtur një seancë dëgjimore lidhur me caktimin e masës së sigurisë ndaj Enver Sekiraqës, pasi e njëjta gjykatë më 19 tetor, në orët e mbrëmjes, e kishte liruar nga paraburgimi atë dhe ndaj tij kishte shqiptuar masën e arrestit shtëpiak.

Për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj tij, kishin votuar tri gjykatëset e Apelit, dy nga radhët e EULEX-it, Elka Ermenkova dhe Anna Adamska-Gallant, si dhe gjykatësja vendore Mejreme Memaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *