Gjykata merr këtë vendim ndaj pronarit të ‘Al Trade’ për rastin Brezovica

Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda, ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, për caktimin e masës së sigurisë kundër të pandehurit Bajram Gashani i dyshuar për shkak të veprave penale dhënia e ryshfetit, ushtrimi i ndikimit dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose në posedim të paautorizuar të armëve.

Gazeta Sinjali, ka raportuar  lidhur me aksionin në kuadër të hetimeve të rastit ‘Brezovica’, ku janë bastisur disa lokacione dhe janë arrestuar disa persona.

Gjykata njofton se në këtë rast ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri ka kryer veprat penale të lartpërmendura dhe ky dyshim i bazuar mbështet nga faktet dhe provat të cilat janë të bashkangjitura deri në këtë fazë.

Gjyqtari i procedurës paraprake vlerësoi propozimin e prokurorit për caktimin e masës së paraburgimit, vlerësoi gjendjen e fakteve dhe provave të grumbulluara deri në këtë fazë të procedurës dhe konstatoi se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri të ketë kryer veprat penale për të cilat dyshohet.

“Bindja e gjyqtarit të procedurës paraprake bazuar në provat që janë siguruar në këtë fazë të procedurës është se: caktimi i masës së paraburgimit ndaj të pandehurit si një ndër masat më të rënda ligjore për sigurimin e pranisë së të pandehurit në procedurë dhe zhvillimit normal të procedurës penale, është i pa bazuar në dispozitat ligjore”, njofton Gjykata.

Sipas njoftimit, thuhet se me masën e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personave të caktuar, në këtë fazë të procedurës mund të arrihet qëllimi që të sigurohet prania e të pandehurit në procedurë dhe rrjedha normale e zhvillimit të procedurës penale.

Andaj, nga te thënat më lartë, Gjykata njofton se të pandehurit B.G., i caktohet masë e sigurisë me të cilën iu është urdhëruar ndalimi për t`iu ofruar vendit apo personit të caktuar në kohëzgjatje prej 1 muaji, konform dispozitave ligjore të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *